Coronavirusi: Anton Quni inspekton forcat ushtarake
Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, bashkë më komandantin e FSK-së, Rrahman Rama kanë vizituar Qendrën Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së dhe dhe njësitet e angazhuara në Forcën për Detyrë.
Sipas një njoftimi, Quni u njoftua me planin e gatishmërisë, veprimet e deritashme si dhe kapacitetet njerëzore specialistike, profesionale, teknike, materiale dhe mbështetjes logjistike të Forcës për Detyrë, të cilat janë vënë në gatishmëri për veprim përballë situatës së krijuar.
Gjithashtu sipas tyre, FSK ka ngritur nivelin e gatishmërisë operacionale për mbështetje ushtarake të autoriteteve civile, pas situatës së krijuar nga coronavirusi.
“Me qëllim të informimit sa më të afërt, sot në kazermat “Adem Jashari” në Prishtinë dhe në Pomazatin, Ministri i Mbrojtjes Anton Quni i shoqëruar nga Komandanti i FSK-së , gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe Shefi i Stafit të SHP të FSK-së gjeneralbrigade Jeton Dreshaj, ka vizituar Qendrën Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së dhe njësitet e angazhuara në Forcën për Detyrë si njësitë për mbështetje logjistike, mbështetje mjekësore, xheniere, mbrojtjes kimike, atomike dhe biologjike, policisë ushtarake, operacioneve civile dhe komunikimit”, thuhet në njoftimin e tyre në “Facebook”,
Më tej, Quni u shpreh i bindur se FSK do të arrijë me sukses të përmbushë detyrën kushtetuese dhe ligjore në mbështetje ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë.
Kujtojmë se sot gjatë ditës, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka pritur sot Komandantin e FSK-së, Gjeneral Lejtnant Rrahman Ramën, me të cilin ka biseduar për nivelin e gatishmërisë së FSK-së për të ndihmuar në përballje me rrethanat e krijuara nga përhapja e COVID-19.
Në bazë të situatës së krijuar pas përhapjes së coronavirusit, presidenti ka kërkuar që FSK të jetë në gatishmëri.