Foto: RTK

Minimaratonë për fëmijët e komuniteteve

Me moton “Vrapojmë për Dije”, është mbajtur sot mini maratona humanitare për të ndihmuar shkollimin e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Të gjitha ata që kanë marrë pjesë në këtë mini maratonë është dashur që të blejnë një numër i cili ka kushtuar 5 euro, ku pastaj të gjitha mjetet e mbledhura do të shkojnë në qendrat mësimore për mësim shtesë, të menaxhuara nga organizata “Zëri i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve”.

Mini maratona është organizuar nga organizata “Zëri i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve”, me mbështetjen e “Federatës së Atletikës së Kosovës” dhe Komunën e Prishtinës.

Orhan Butiq nga organizata “Zëri i romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve”, tha se ideja e këtij organizimi ka qenë që të mbledhjen mjete financiare për të ndihmuar fëmijët që të vazhdojnë shkollimin e tyre.

Ai tha se komunitetet kanë vështirësi shumë të mëdha me arsimimin, prandaj sipas tij është e rëndësishme që të mbahen aktivitete të tilla edhe për ngritjen e vetëdijes për rëndësinë që këta fëmijë të shkollohen.

Në mbështetje të kësaj mini maratone kishte dal edhe ish deputeti i Nismës Socialdemokrate, Veton Berisha, i cili tha se aktivitete të tilla janë të rëndësishme për të ndihmuar fëmijët e komuniteteve që të vazhdojnë shkollimin.

Në mini maratonën me moton “Vrapojmë për Dije”, ka marrë pjesë edhe ish deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, e cila tha se do të jetë gjithmonë aty kur bëhet fjalë për të ndihmuar shkollimin e të rinjve.

Mini maratona është zhvilluar nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe ka mbaruar tek shkolla e mesme e lartë e mjekësisë “Ali Sokoli”. /RTK