Greva e minatorëve të Trepçës 01.08.2024 | Foto: Kallxo.com
Minatorët që dy muaj pa paga, reagon Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës ka dalë me një reagim në ditën e 23-të të grevës së minatorëve të ndërmarrjes Trepça Sh.A.
Minatorët e minierës së Trepçës kanë hyrë në grevë për shkak se tashmë janë bërë dy muaj që ata nuk i kanë marrë pagat e tyre.
Në një komunikatë për media, Qeveria thotë se janë duke e trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça Sh.A, duke theksuar se përkrahja financiare për këtë ndërmarrje “varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit”.
“Ne jemi të bindur se me një bashkëpunim të ngushtë dhe përkushtim të përbashkët, mund të arrihen përmirësime të ndjeshme dhe rezultate pozitive për ndërmarrjen Trepça dhe për të gjithë punonjësit e saj. Nuk ekziston asnjë rrugë tjetër përpos punës dhe angazhimit intensiv, rregullit, kontrollit dhe drejtimit të përgjegjshëm të ndërmarrjes për sukses”- thuhet në komunikatë.
Qeveria thotë se janë në komunikim të vazhdueshëm me Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes, duke shtuat se po sigurojnë që të gjitha palët janë të angazhuara maksimalisht për një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë e tyre.
Nga ekzekutivi thonë se nga ndërmarrja presin që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve,” si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”.
Më tej, në kumtesë Qeveria shpjegon se Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë euro, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin. Megjithatë, sipas tyre, këto mjete nuk u kanë mjaftuar për të siguruar mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të punonjësve, që përbëjnë pjesën e konsiderueshme të shpenzimeve të ndërmarrjes.
“Ministria e Ekonomisë në mënyrë të vazhdueshme ka inkurajuar menaxhmentin e ndërmarrjes për të optimizuar shpenzimet. Së fundmi, me pranimin e kërkesës së ndërmarrjes për ndarjen e mjeteve financiare shtesë, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Bordi mbikëqyrës dhe menaxhmenti që të prezantojnë një plan veprimi. Ne presim që të adresohen në mënyrë të qartë, efektive dhe të qëndrueshme sfidat e ndërmarrjes”- thuhet tutje në reagimin e Qeverisë.
Minatorët e minierës së Trepçës kanë hyrë në grevë për shkak se tashmë janë bërë dy muaj që ata nuk i kanë marrë pagat e tyre. Pagat e muajit qershori dhe korrik ende nuk janë ekzekutuar për punëtorët e kësaj ndërmarrje.
Të mërkurën, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, mbajti takim me grevistët dhe diskutuar për zhvillimet brenda ndërmarrjes duke bërë thirrje për ekzekutimin e pagave.
Bordi i kësaj ndërmarrje përmes një komunikate për media, të martën më 30.07.2024, thanë se janë në komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë për zgjidhjen e këtij problemi.
Dy muaj pa paga, sot dita e 23-të e grevës së Minatorëve të Trepçës