Minatorët pa paga e në grevë, nënkryetari i Mitrovicës së Jugut viziton Sindikatën e Trepçës
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri të hënën (12.08.2024) ka vizituar Sindikatën e minatorëve të Trepçës, të cilët janë në grevë për shkak që ende nuk i kanë marrë pagat.
Tahiri ka thënë se minatorët i kanë treguar për gjendjen e tyre të vështirë, pasi që sipas tij, tashmë kanë hyrë në muajin e tretë pa paga.
“Ata më treguan për gjendjen e vështirë, pasi me atë pagë mbajnë familjen dhe kryejnë obligimet” – ka thënë Tahiri.
Ai është shprehur se minatorët duhet të trajtohen me respekt dhe dinjitet.
Ndryshe, Tahiri ka theksuar se institucionet kanë përgjegjësi për gjendjen e minatorëve dhe se duhet t’iu sigurojnë të ardhurat e tyre mujore.
“Institucionet duhet të marrin përgjegjësinë që u takojnë dhe t’i sigurojnë punëtorët se do të paguhen për djersën e tyre”- ka shkruar ai në Facebook.
Kryetari i Sindikatës së Trepçës, Ibrahim Januzi më 12.08.2024 ka konfirmuar për KALLXO.com se ende minatorët janë në grevë, tashmë që më shumë se një muaj.
“Po ende vazhdon njëjtë, nuk ka ndonjë ndryshim” – tha ai.
Më 01.08.2024 një numër minatorësh kanë protestuar te zyrat e menaxhmentit të Trepçës në Mitrovicë, pasi janë të pakënaqur sepse pagat e muajit qershor dhe korrik 2024 ende nuk u janë ekzekutuar.
Paraprakisht më 30.07.2024, Bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça” ka reaguar përmes një komunikate duke thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë për zgjidhjen e këtij problemi.
“Bordi Mbikëqyrës i cili ka marrë detyrën këtë muaj po punon ngushtë me menaxhmentin për të zbatuar një plan veprimi emergjent dhe po zhvillon komunikim të vazhdueshëm me aksionarët-Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe punëtorët, për të mundësuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate”- thuhet në njoftimin e datë 30.07.2024.
Sipas bordit, situata me paga është e tillë për shkak të prodhimit të ulët në minierë, borxheve e humbjeve.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës më 01.08.2024 ka deklaruar se janë duke e trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça Sh.A, duke theksuar se përkrahja financiare për këtë ndërmarrje “varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit”.
Ne jemi të bindur se me një bashkëpunim të ngushtë dhe përkushtim të përbashkët, mund të arrihen përmirësime të ndjeshme dhe rezultate pozitive për ndërmarrjen Trepça dhe për të gjithë punonjësit e saj. Nuk ekziston asnjë rrugë tjetër përpos punës dhe angazhimit intensiv, rregullit, kontrollit dhe drejtimit të përgjegjshëm të ndërmarrjes për sukses”- thuhet në komunikatë.
Qeveria thotë se janë në komunikim të vazhdueshëm me Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes, duke shtuat se po sigurojnë që të gjitha palët janë të angazhuara maksimalisht për një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë e tyre.
Nga ekzekutivi thonë se nga ndërmarrja presin që të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve,” si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme”.
Më tej, në kumtesë Qeveria shpjegon se Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë euro, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin. Megjithatë, sipas tyre, këto mjete nuk u kanë mjaftuar për të siguruar mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të punonjësve, që përbëjnë pjesën e konsiderueshme të shpenzimeve të ndërmarrjes.