Trepça, Foto: KALLXO.com
Minatorët në grevë, reagon bordi i "Trepçës"
Minatorët e “Trepçës” kanë hyrë në grevë për shkak të mosrealizimit të pagave të muajit qershor dhe shujtave ushqimore.
Ndonëse minatorët ankohen për muaj të tërë për çështjen e pagave, bordi mbikëqyrës i “Trepçës” ka reaguar sot, më 30.07.2024, duke theksuar se janë në komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë për zgjidhjen e këtij problemi.
“Bordi Mbikëqyrës i cili ka marrë detyrën këtë muaj po punon ngushtë me menaxhmentin për të zbatuar një plan veprimi emergjent dhe po zhvillon komunikim të vazhdueshëm me aksionarët-Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe punëtorët, për të mundësuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate”- thuhet në njoftim.
Sipas bordit, situata me paga është e tillë për shkak të prodhimit të ulët në miniërë, borxheve e humbjeve.
“Vërejmë se gjendja financiare është rënduar nga performanca e ultë e prodhimit, humbjet dhe borxhet e grumbulluara. Tejkalimi i situatës kërkon reforma të menjëhershme që sjellin stabilitet operativ dhe financiar”- thuhet tutje në njoftim.
Bordi thekson se po bëjnë përpjekje për të zbatuar kërkesat e minatorëve që atyre t’u dalin pagat dhe se po punojnë me përkushtimin më të lartë për t’u dhënë përgjigjen e duhur në mënyrë që minatorët ta rifillojnë punën.
Ndërsa Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” u ka bërë thirrje minatorëve që të mblidhen dhe të takohen në mensën e minierës në Stantërg nesër, më 31.07.2024, për të diskutuar rreth këtij problemi.
“Duke pasur parasyshë situatën e fundit të krijuar në ndërmarrjen Trepca Sh.A. dhe vështërsit financiare me të cilat jemi duke u ballafaquar vazhdimisht, me qëllim të gjetjes së ndonjë zgjidhje konkrete dhe afatgjate, ju ftojmë që nesër nga ora 07:00 të takohemi në menzën e minieres në Stan Tërgut”- thuhet në njoftim.
Më 24.07.2024 KALLXO.com ka raportuar se minatorët kanë hyrë në grevë për shkak të mosrealizimit të pagave të muajit qershor dhe shujtave ushqimore.
Kështu kishte thënë për KALLXO.com kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, më 24.07.2024.
“Që 14 ditë nuk kanë punu minatorët për shkak të mosrealizimit të pagave dhe shujtave ushqimore”- ishte shprehur Januzi.
Ndërkaq kryeshefi i ndërmarrjes, Bashkim Kurti, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se pagat nuk janë realizuar deri më tani për shkak të mungesës së fondeve. “Arsyeja pse nuk është pagu është vetëm mungesa e fondeve” – ka thënë Bashkim Kurti.