Minatorët e Trepçës në grevë
Minatorët e “Trepçës” janë duke vazhduar grevën, për shkak të mosrealizimit të pagave të muajit qershor dhe korrik dhe shujtave ushqimore.
Lidhur me këtë situatë, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, ka mbajtur takim me grevistët, sot më 31.07.2024.
Mirëpo, edhe pas këtij takimi është vendosur që greva mos të ndërptiret deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Kështu ka thënë për KALLXO.com kryetari i kësaj sindikate, Ibrahim Januzi.
“Nuk është vendosur asgjë, ne kemi mbetur në humnerë, askush s`po na qanë hallin, minatori i shkretë ka mbetë pa pagë… Ne e patëm një takim dhe diskutuam, por minatorët në asnjë rrethanë nuk kanë pranuar të fillojnë punën pa paga”- ka thënë Januzi.
Sipas kryesindikalistit, nëse nuk realizohen pagat, nesër më 01.08.2024, pritet të mbahet protestë nga minatorët.
“Minatorët kërkuan një datë, nuk pati diçka konkrete, nesër mund të ketë protestë apo diçka tjetër”- është shprehur Januzi.
Ndërkaq dje, më 30.07.2024, bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça” ka reaguar përmes një komunikate duke thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë për zgjidhjen e këtij problemi.
“Bordi Mbikëqyrës i cili ka marrë detyrën këtë muaj po punon ngushtë me menaxhmentin për të zbatuar një plan veprimi emergjent dhe po zhvillon komunikim të vazhdueshëm me aksionarët-Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe punëtorët, për të mundësuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate”- thuhet në njoftimin e datë 30.07.2024.
Sipas bordit, situata me paga është e tillë për shkak të prodhimit të ulët në minierë, borxheve e humbjeve.
Vazhdon greva e minatorëve të Trepçës, ende nuk i kanë marrë pagat e qershorit