Minatorët e Trepçës ndalin punën, nuk kanë marrë ende pagat

Probleme me paga për minatorët e Trepçës po vazhdojnë edhe në kohë pandemie.

Rreth 400 minatorë kanë ndalur punën sot dhe po qëndrojnë në Trepçë duke pritur ndonjë përgjigje nga institucionet përkatëse lidhur me mos marrjen e pagave.

Trepça në Stantërg, fllotacioni e Kishinica kanë ndërprerë punën.

Njëri nga minatorët në kushtet anonimiteti ka thënë për KALLXO.com se janë mbledhur po presin pagat apo ndonjë përgjigje se përse nuk i kanë marrë.

“ Në këtë kohë pandemie ne jemi mbledhur këtu askush nuk po na përgjigjet, jemi të rrezikuar nuk kemi as dorëza e maska, kurrfarë masa mbrojtëse, nuk do të na duhet asgjë rroga kur ua dërgojmë në shtëpi virusin familjes” , ka thënë minatori i cili ka dashur të mbetet anonim.

KALLXO.com ka kontaktuar me Gani Osmanin kryetar i sindikatës së minatorëve të Trepçës, i cili ka konfirmuar se punëtorët kanë ndërprerë punën ndërsa po presin përgjigje për pagat.

“ Jemi mbledh sot këtu, jemi dy ndërrime bashkë dhe po presim, ne e thirrem kryeshefin i cili nuk ka ardhë, edhe tash po presim dikë prej bordi a prej qeverisë me na bo një zgjidhje, sot i 15-ti ne ende nuk i kemi marrë pagat, asnjë arsye nuk na kanë dhënë, ndonjë datë a diçka, por s’kemi marr përgjigje prej askujt, jemi rreth 400 punëtor ndërrimi i parë dhe i dytë..“, ka thënë Osmani.

I pyetur për masat mbrojtëse për shkak të pandemies, Osmani ka shtuar se sipas tij vetëm 10% kanë disa masa, ndërsa të tjerë nuk kanë masa mbrojtëse.

“ Jo kurrfarë masa nuk kemi, jemi tubu në këtë farë rreziku për shkak të pagave, nuk kemi as dorëza as maska as 10% këtu nuk kanë masa mbrojtëse “, ka thënë Osmani.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në drejtim të Kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Basri Ibrahimi dhe është në pritje të përgjigjeve.

Basri Ibrahimi, Kryeshef i ndërmarrjes “Trepça”, në një prononcim të shkurtë për KALLXO.com ka thënë që punëtorët nuk janë duke punuar për shkak të pagave, por  ato do t’i marrin sot.

” Punëtorët nuk janë duke punuar, kjo për shkak të pagave, por ato do t’i marrin sot “, tha Ibrahimi.