Trepça, Foto: KALLXO.com

Minatorët e Trepçës do të protestojnë para qeverisë të enjten

Të enjten, më 15.08.2024, para Qeverisë së Kosovës pritet të protestojnë minatorët e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Trepça”.

Kështu ka njoftuar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës përmes një njoftimi për media në Facebook.

Minatorët e Trepçës kanë bojkotuar punën që nga data 10.07.2024 pasi ndërmarrja nuk ua paguajti pagat.

“Protesta do të mbahet në Prishtinë pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, ditën e enjte, me date 15.08.2024 nga ora 12:00. Marshimi do të filloje nga sheshi Zahir Pajaziti-Prishtinë, deri pranë objektit të Qeverise së Republikës së Kosovës” – thuhet në njoftim.

Sipas sindikatës, pagat nuk janë paguar për minatorët që gati tre muaj.

“Ta dini që situata e minatorëve është rënduar tej mase, mosekzekutimi i pagave i ka dërguar minatorët në një situate krize për ekzistence, andaj si mjet për të kërkuar bukën e gojës për vete dhe familjen e tyre ka mbetur të protestuarit si mjet ligjor dhe demokratik” – thuhet tutje në njoftim.

Së fundmi, Bashkim Kurti u shkarkua nga pozita e kryeshefit të ndërmarrjes pasi gjykata gjeti shkelje në emërimin e tij.

Gjykata në Mitrovicë anulon zgjedhjen e Bashkim Kurtit si kryeshef i Trepçës, bordi emëron Faton Ahmetin ushtrues detyre