Mimoza Kusari uron Vlora Çitakun për përfundimin "dinjitoz" të detyrës si ambasadore

Deputetja Mimoza Kusari – Lila ka reaguar lidhur vendimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për ta shkarkuar ambasadoren e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

Kusari – Lila e ka uruar Çitakun për përfundimin “dinjitoz” të detyrës së saj si ambasadore.

“Çdo fillim ka fundin e vet, çdo fund ka fillim të ri. Sikur të kam uruar nga Gjakova për fillimin tënd si Ambasadore, sot të uroj nga Prishtina për përfundimin dinjitoz të detyrës tënde. Përkundër dallimeve, gjithmonë do të kemi arsye për të bërë: Gëzuar ” shkruan Kusari-Lila në Facebook.

Sot, ministri i Punëve të Jashtme, Galuk Konjufca shkarkoi nga detyra ambasadorët Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu.

Lidhur me këtë vendim, Çitaku ka thënë do ta respektojë kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Ndonëse e kam të qartë se ligjërisht vetëm Presidenti i Kosovës ka të drejtë të emërojë dhe shkarkojë Ambasadorët e Republikës së Kosovës, mua më mjafton fakti tashmë i ditur botërisht, se unë jam e padëshiruar”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ambasadorja Çitaku është shprehur e zhgënjyer që për këtë çështje nuk ka pasur një konsultim paraprak.

Nga zëdhënëse e PDK-së në Ambasadore në SHBA, rrugëtimi i Vlora Çitakut