Foto: Mimoza Kusari- Lila në Facebook
Mimoza Kusari operohet nga kanceri i gjirit, inkurajon të gjitha gratë të bëjnë mamografinë
Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se është operuar pas diagnostikimit me kancer të gjirit.
Duke ndarë rrëfimin e saj me të tjerët nëpërmjet rrjetit social Facebook, ajo i ka inkurajuar të gjitha gratë që të bëjnë kontrollet rutinore në mënyrë që të shmangin detektimin e vonë të kësaj sëmundjeje.
“Tri javë më parë, gjatë një kontrolli rutinor të cilin e bëj çdo vit, u diagnostikova me kancer të gjirit, dhe pas rekomandimeve të mjekëve në Klinikën Universitare, vendosëm për operacion dhe trajtim”- ka shkruar Kusari- Lila, më 08.11.2024.
Ajo ka bërë të ditur se operimin e ka kryer në Klinikësn e Kirurgjisë Torakale në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës.
“Për të gjitha vajzat dhe gratë që nuk kanë bërë ekzaminimin e gjirit gjatë muajit tetor të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, JU LUTEM ta bëni sa më parë. Kontrolli rutinor mund të realizohet në qendrat e mjekësisë familjare, në spitalet rajonale dhe në të gjitha vendet ku ofrohet mamografia”- ka inkurajuar Kusari-Lila.
Deputetja ka treguar se fatmirësisht ka arritur ta zbuloj kancerin në fazë të hershme dhe se trajtimi ka qenë më i lehtë.
“Detektimi i hershëm shpëton jetë, ndërsa vonesat për zbulimin dhe identifikimin e hershëm mund të sjellin pasoja shumë më të rënda”- shprehet ajo.
Muaji i kaluar, tetori, i njohur si muaji rozë, shënoi muajin për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit.
Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti -2024 në Klinikën e Onkologjisë janë trajtuar 335 raste me kancer të gjirit, prej të cilave 332 janë gra dhe 3 burra.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë vetëm 0.5 deri në 1% e kancereve të gjirit prekin personat e gjinisë mashkullore.