Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mimoza Bushrani tërhiqet nga kandidatura për Kryetare të Gruas në LVV

Mimoza Bushrani e cila ia kishte mërsyer garës për Kryetare të Gruas së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura të cilën e kishte bërë publike ditë më parë.

Bushrani e cila është asambliste e kësaj partie në Kuvendin Komunal të Prizrenit ka thënë që tërheqjen nga gara po e bënë për shkaqe personale.

“Në kuadër të zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!  Qendra në Prizren, ditë më parë ju pata njoftuar se e kam dorëzuar aplikacionin pranë KZP-së, për të qenë kandidate për Kryetare të Gruas së Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qendra Prizren. Edhe pse KZP-ja më ka kualifikuar për të vazhduar me procedura të mëtejme, ju njoftoj se për shkaqe personale tërhiqem nga kandidatura”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo është shprehur e bindur se mbështetja dhe pjesëmarrja e grave dhe vajzave në vendimmarrje brenda organeve drejtuese të partisë do të mund të fuqizohet edhe më shumë.

Dje nga partia ka dhënë dorëheqje, Fadil Spahiu, asamblist në Kuvendin Komunal të Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë që partia kohëve të fundit është përballur me ‘situata aspak demokratike’

“Kohëve të fundit jemi përballur me situata aspak demokratike dhe denigruese të udhëheqjes së qendrës sonë, veçanërisht të procesit të zgjedhjeve të brendshme, ku drejtuesi i Grupit Punues duke e keqpërdorur pozitën emëruese nga niveli i tretë organizativ, e favorizon një grup të ngushtë të individëve dhe duke i linçuar dhe distancuar aktivistët, anëtarët dhe simpatizantët  e tjerë”, ka shkruar ai në facebook.

Partia më e madhe në vend, më 1 shtator ka hapur fushatën zgjedhore për nivelin e tretë organizativ.

Ky nivel përfshinë kreun e partisë, kryetaren e grupit të grave si dhe kryetar të rinisë. Procesi sipas njoftimit të partisë pritet të përfundoj më 23 shtator 2022.

Dorëhiqet nga Vetëvendosje asamblisti i Lipjanit