MIllorad Dodik

Millorad Dodik konfirmohet president i Republikës Sërpska

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë e Hercegovinës zyrtarisht njoftoi se pas rinumërimit të votave, Millorad Dodik, kreu i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, fitoi më së shumti vota për t’u zgjedhur në pozitën e presidentit të Republikës Sërpska.

Dodik u shpall zyrtarisht fitues i Presidencës së njësisë serbe të vendit pas një procesi të rinumërimit që ndodhi me kërkesë të opozitës.

Rinumërimit i parapriu raportimi i një mori shkeljesh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Bosnje e Hercegovinë.

“Në lidhje me rezultatet origjinale të Zgjedhjeve të Përgjithshme për nivelin e presidentit dhe zëvendëspresidentit të Republikës Sërpska, kontrolli i rinumërimit konfirmoi se Millorad Dodik është kandidati me numrin më të madh të votave”, tha presidenti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnje e Hercegovinës, Suad Arnautoviq.

Një numërim paraprak pas zgjedhjeve i dha fitoren Dodikut për Presidencën e Republikës Sërpska.

Dodik fitoi 48 për qind të votave derisa kundërkandidatja, Jelena Triviq, nga opozita fitoi 43 për qind.

Megjithatë, një ditë pas zgjedhjeve partitë opozitare akuzuan Dodikun dhe partinë e tij për “plaçkitje të organizuar të zgjedhjeve” dhe kërkuan rinumërim.

Republika Sërpska është një prej tri entiteteve në Bosnjë e Hercegovinë.

Opozita ka protestuar disa herë me kërkesën që disa persona të ndiqen penalisht, përfshirë edhe Dodikun, i cili është subjekt i sanksioneve perëndimore për shkak të aktiviteteve të tij për ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja./REL