Autostrada Tiranë-Durrës Foto: RTV 21

Milionat në infrastrukturë nuk zgjodhën problemet e sigurisë në rrugët e Durrësit

Infrastruktura rrugore pranë Torrës mesjetare në Durrës ka pësuar ndryshime të dukshme në vitet e fundit, por investimet me vlerë miliona euro, në shëtitoren bregdetare, në sistemin e ujit të pijshëm dhe në projektin “Veliera”, nuk e kanë përmirësuar situatën e trafikut rrugor.

Rreth-rrotullimi pranë Torrës në Durrës me monumentin e Redonit në qendër, ka përreth tij 8 hyrje e dalje mjetesh. Më i rëndësishmi prej tyre është nënkalimi i automjeteve, që mban mbi shpinë tendën e shumëpërfolur metalike të njohur me emrin “Veliera”.

Të tjerat janë rrugica një kalimëshe që nuk lejojnë qarkullimin e më shumë se një autoveture që vjen nga qyteti, apo që shkon drejt portit dhe bregdetit.

Një tjetër rrugicë shkon përmes dy pallateve binjake për në parkimin e ri të autoveturave. Udhëtimi në këto rrugë gjarpëruese i autobusëve turistikë që synojnë bregdetin në verë është një mision gati i pamundur.

Mjetet e mëdha turistike janë të detyruara të kalojnë patjetër nga rruga “Egnatia. Por kjo është zona më intensive e lëvizjes së kalimtarëve në qytetin e Durrësit, ndërsa i mungojnë vendpushimet apo parkimet e autobusëve të shumtë që vizitojnë monumentet historike dhe arkeologjike.

E ndërsa trëndafili rrugor rreth rotondës së Redonit ka zgjidhur pjesërisht trafikun e automjeteve, ai e ka lënë në mëshirë të fatit lëvizjen e qytetarëve dhe turistëve të shumtë.

Këta të fundit kanë në dispozicion vetëm një palë viza të bardha, rreth 150 metra larg nënkalimit, ndërsa duhet ta zgjidhin si të munden kalimin nga trotuari në trotuar. Këtu këmbësorët ndjehen të pasigurt përballë numrit në rritje të automjeteve gjithfarësh.

Kjo situatë ka nxjerrë në pah mungesën e investimeve të menduara.  Infrastruktura rrugore pranë Torrës mesjetare në Durrës vitet e fundit ka pësuar ndryshime të dukshme. Aty janë bërë investime disa milionëshe, në shëtitoren bregdetare, në sistemin e ujit të pijshëm dhe në projektin “Veliera”, por asnjë prej tyre nuk e ka përmirësuar situatën e trafikut dhe kalimet që duhet tu shërbejnë këmbësorëve.

Në Durrës, stina e verës e 3-4-fishon numrin e pushuesve vendas dhe të huaj që i drejtohen bregdetit dhe lokaleve të shumtë deri në Currila e më tej në Kallm.

Por zgjidhja ndërtimore që i është dhënë nyjës rrugore, që bashkon bulevardet “Dyrrah”, “Egnatia” dhe “Taulantia” nuk i ka ndihmuar qytetarët që të mbërrijnë më lehtë në bregdet dhe as që të shëtisin të sigurt.

Specialistët sugjerojnë një nënkalim në formën e tunelit, për të ndihmuar këmbësorët dhe lidhur Torrën mesjetare me Shëtitoren. Njëlloj si nënkalimi me ndarëse trafiku për automjetet, do të zgjidhej kështu problem i sigurisë së këmbësorëve të gjitha moshave që duan të vizitojnë Durrësin.

Por kjo nuk është një zgjidhje që duket në horizont. Tani për tani autoritetet ia kanë besuar sigurinë e kalimit në rrugë, njëlloj si në vitet e kaluara forcave të shumta të policisë bashkiake dhe atyre të policisë rrugore që do të vigjilojnë në mes të diellit e do të kujdesen për sigurinë e vizitorëve të rritur dhe fëmijë që zgjedhin këtë pjesë të qytetit bregdetar dhe që u duhet të kalojnë në rrugë të mbi ngarkuara./Reporter AL