Ilustrimi- Jeta Dobranja për BIRN

Miliona euro paga pa punë në emër të integrimit

Një hulumtim i bërë nga BIRN ka zbuluar se ministritë e Kosovës kanë paguar, të paktën, 2.5 milionë euro në paga për ish anëtarët e Trupave të Mbrojtjes Civile Serbe, CPC, të cilët nuk jane paraqitur fare në vendin e tyre të punës.

Më 5 janar të vitit 2016, M.M., ishte kontraktuar të punojë si zyrtar i arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, MASh. Kjo është një pozitë të cilën ai e mban akoma dhe për të cilën paguhet rregullisht tash e pesë vite, megjithatë M.M., e pranon për BIRN se, në fakt, ai nuk ka punuar asnjë ditë për këtë pagë. 

“Jo, ne nuk punojmë,” deklaron ai. “Nuk e di pse. Ata na thonë se është e pamundur të punojmë.”

M.M., është pjesë e grupit prej 32 të serbëve të  Kosovës të punësuar nga Ministria si pjesë e një përpjekjeje për integrimin e ish anëtarëve të Mbrojtjes Civile, MC, në institucionet e Kosovës. 

BIRN ka folur me një numër ish anëtarësh të Mbrojtjes Civile të punësuar në MASHT, shumë prej të cilëve thonë se nuk shfaqen në vendin e punës mirëpo marrin pagën mujore. Të pyetur lidhur me atë se si po ndodh një gje e tillë, një tjetër punëtor i MASHT B.S., na i dha dy arsye shkurtazi: “Marrëveshjen dhe Vuçiqin.”

Marrëveshjes të cilës ai i referohet daton nga prilli i vitit 2015, kiur një marrëveshje e ndërmjetësuar nga BE qoi në shpërbërjen e CPC, një organizatë kjo paralele e cila operonte në veriun e Kosovës duke zbatuar ligjet e Serbisë që nga viti 1999.

Mbrojtja Civile qeverisej sipas Ligjit mbi Situatat Emergjente të Serbisë, dhe vepronte si njësi e parë intervenuese në çështjet që kishin të bënin me zjarrin dhe vërshimet. Megjithatë, ky grup po ashtu instalonte barrikada njerëzish nëpër rrugë përgjatë krejt Kosovës Veriore, dhe përfshinte individë të trajnuar nga ushtria në zbatim të detyrave mbrojtëse në urën e cila e ndan pjesën jugore dhe atë veriore të qytetit të Mitrovicës

Si pjesë e marrëveshjes per largimin e barrikadave dhe shpërbërjen e organizatës, Kosova u zotua të hapë 483 vende të lira pune brenda institucioneve shtetërore për ish anëtarët e Mbrojtjes Civile, të cilët do të punësoheshin pas një verifikimi paraprak të bërë nga EULEX-i si dhe intervistave të zhvilluara nga një panel etnikisht i përzier. 

Bazuar në të dhënat e siguruara nga BIRN, të gjitha 483 vendet tanimë janë të plotësuara, përfshirë edhe 275 vendet në ministritë e ndryshme të Qeverisë së Kosovës si dhe në agjencione përfshirë Doganat e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Statistika, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Administrata Tatimore e Kosovës si dhe Shërbimi Korrektues. 

Një numër i vogël i agjencive kanë arritur t’i integrojnë plotësisht punëtorët e rinj. Shembull, Ministria e Drejtësisë i ka thënë BIRN se ish anëtarët e CPC të punësuar në Qendrat Korrektuese të Kosovës i kanë përmbushur detyrat e tyre rregullisht. 

Megjithatë, shumë ish anëtarë të CPC  e kanë marrë nga një pagë të rregullt mujore për shumë vite përkundër faktit se kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve kontraktuale, një çështje kjo e identifikuar në vazhdimësi nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ZKA. Në auditimet e saja në ministritë kosovare, ZKA në mënyrë të vazhdueshme  i ka nxitur institucionet që të ndërpresin pagesat ndaj të punësuarëve të cilët nuk i përmbushin obligimet e tyre kontraktuale.  

Numri i plotë i punëtorëve të cilët kanë dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre brenda institucioneve të Kosovës, është i panjohur. Sidoqoftë, bazuar në të dhenat nga ZKA, gjatë vitve të fundit nëntë ministri të Kosovës i kanë paguar, të paktën, 2.5 milionë euro në paga për punëtorët të cilët nuk punojnë. 

Ilustrimi- Jeta Dobranja për BIRN

Qeveria e Kosovës “mbyll sytë” ndaj problemit

Përkundër faktit se 10 nga 16 ministritë aktuale në Kosovë kanë marrë kritika nga ZKA, vetëm njëra, Ministria e Bujqësisë, i ka larguar nga puna punëtorët për shkak të dështimit në përmbushjen e obligimeve të tyre kontraktuale. 

Trembëdhjetë ish- anëtarë të Mbrojtjes Civile ishin pushuar nga puna nga dy agjenci të cilat operonin nën patronatin e Ministrisë së Bujqësisë – Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Agjencia e Pyjeve. 

Në Agjencinë e Pyjeve, tetë nga 18 ish anëtarë të punësuar të CPC ishin pushuar nga puna pas një vlerësimi të bërë nga komisioni disiplinor se ata kishin refuzuar të paraqiteshin në vendin e punës qoftë si rojtarë pyjesh qoftë si teknikë pyjesh. 

“Më herët ne kemi aplikuar masa më të lehta për këta të punësuar, të tilla si vërejtje me gojë apo me shkrim, duke rezultuar pastaj me ndërprerje të kontratës,” i tha BIRN kjo ministri.

Sipas ministrisë, procedura e njëjtë është zbatuar edhe në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor, ku pesë nga gjashtë ish anëtarët e Mbrojtjes Civile ishin larguar nga puna, ndërkohë që i gjashti kishte dhënë dorëheqje.

Ministritë tjera nuk i ishin përgjigjur kërkesës së BIRN për të dhënë shpjegime se pse ato nuk kanë ndërmarrë veprime disiplinore kundër punëtorëve të cilët nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre kontraktuale. Megjithatë, zyrtyarë qeverie i thanë BIRN në kushte anonimiteti se është ushtruar presion nga Bashkësia Ndërkombëtare për të mos ndërmarrë veprime disiplinore apo për të mos i larguar nga puna këta të punësuar. 

Ministria e Pushtetit Lokal e cila është përgjegjëse për implementimin e marrëveshjes së vitit 2015, i tha BIRN se ajo në mënyrë të vazhdueshme ka ngritur shqetësimet e saja tek qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës lidhur me këtë çështje mirëpo kjo çështje akoma nuk ka qenë temë e diskutimit  në takimet qeveritare.

Ndërkohë, Ministria për Kthim dhe Komunitete, e cila aktualisht punëson 20 ish anëtarë të Mbrojtjes Civile dhe udhëhiqet nga Dalibor Jevtic, i cili vjen nga radhët e Listës Serbe, deklaron se ka dërguar një kërkesë zyrtare tek Qeveria e Kosovës dhe tek Ministria e Financave për të gjetë një zgjidhje lidhur me këtë çështje me 15 shtator të vitit 2020. “Akoma po presim për të marrë një përgjigjie,” thotë ministria. 

Mitrovica e Veriut. FOTO-Atdhe Mulla

Ministria pretendon se Qeveria e Kosovës ka dështuar të sigurojë, pajisë dhe rinovojë hapësirat e nevojshme për të filluar punën, siç është e obliguar nga marrëveshja e vitit 2015.

Sidoqoftë, ZKA ka identifikuar edhe një çështje me Ministrinë e Administratës Publike  e cila, në vitin 2018, i ka paguar 120,000 euro për qira të ndërtesës administrative në veriun e Kosovës e cila nuk është vënë në përdorim.

Zyra e kryeministrit nuk është përgjigjur në pyetjet e shtruara nga BIRN lidhur me këtë çështje apo lidhur me atë se si të rregullohet kjo situatë. Megjithatë, Qeveria e Kosovës e ka njoftuar BE-në mbi implementimin e marrëveshjes së vitit 2015 përmes një raporti në vitin 2018.

Raporti, i cili është siguruar nga BIRN, vë në pah një numër çështjesh në proces të implementimit, përfshirë një pranim të dështimit për të siguruar që ish anëtarët e Mbrojtjes Civile i kanë përmbushur obligimet e tyre kontraktuale. “Në praktikë ata nuk i ushtrojnë funksionet e tyre në pajtim me ligjet e Kosovës dhe sipas obligimeve kontraktuale,” thotë raporti në fjalë.

Ky raport identifikon një numër faktorësh prapa këtij dështimi, përfshirë edhe çështjet që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjës, ekzistimin e vazhdueshëm të strukturave paralele në veriun e Kosovës si dhe mungesën e komunikimit efektiv ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe ish anëtarëve të Mbrojtjes Civile. Raporti po ashtu nënvizon se prej numrit të përgjithshëm prej 483 personave të punësuar, vetëm 25 prej tyre janë gra. 

Marrëveshja e vitit 2015 e obligon Serbinë që ta ndërpresë çdo pagesë apo ndihmë financiare për strukturat e Mbrojetjes Civile nga prilli i vitit 2015. Ish- anëtarët e Mbrojtjes Civile të punësuar në institucionet e Kosovës të cilët janë kontaktuar nga BIRN, deklarojnë, që të gjithë, se nuk punojnë diku tjetër dhe se nuk pranojnë pagesa nga qeveria e Serbisë. 

BIRN ka kontaktuar me Edita Tahirin, ish- ministren për Dialog e cila ka ndërmjetësuar marrëveshjen, për të marrë një deklarim të sajin lidhur me marrëveshjen  e cila e ka parashikuar integrimin e Mbrojtjes Civile në institucionet e Kosovës dhe si u zhvillua implementimi i marrëveshjes, mirëpo nuk mori ndonjë përgjigje.

Të kontaktuar nga BIRN, Bashkimi Evropian, si lehtësues i marrëveshjes, nuk ka dhënë ndonjë koment lidhur me vlerësimin e nivelit të zbatueshmërisë së marrëveshjes nga të dyja palët deri në publikimin e këtij shkrimi.