Milaim Zeka - Arkiv

Milaim Zeka pas dorëheqjes padit RTK-në

Ish-deputeti dhe gazetari, Milaim Zeka ka paditur Radio Televizionin e Kosovës për vendimin e suspendimit të tij në fillim të këtij muaji nga puna duke e quajtur të padrejtë.

Zeka ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në RTK.

Në padinë e siguruar nga KALLXO.com, avokatët e Zekës e kanë quajtur si precedent të rrezikshëm vendimin për suspendimin e tij nga puna.

“Është një vendim që krijon precedent të rrezikshëm dhe krijon standard të dyfishtë ngase sot mund të numërojmë qindra persona që kanë qenë/janë të akuzuar e janë shpallur fajtor dhe ende punojnë në vendet e punës pa u suspenduar për shkak të lëndëve aktive të cilat i kanë pasur”, thuhet në padi.

Në padi pretendohet se Zeka nuk e ka shkelur etikën apo kodin e punës.

“Tani që punëtori i RTK-së, Milaim Zeka të suspendohet në këtë mënyrë që pa e shkelur etikën apo kodin e punës që pa bërë sjellje të pahijshme apo të dëmtojë imazhin e gazetarit të cilat këto arsye nuk ceken në vendimin e drejtorit të RTK-së në lidhje me masën e suspendimin për kohë të caktuar e që punonjësin Milaim Zeka t’a suspendojnë për lëndë të hapura aktive të aktakuzave kjo gjë është e papranuar dhe është skandaloze me veprimet të cilat i ka bërë drejtori dhe menaxhmenti përgjegjës i RTK-së”, vazhdon padia.

 

 

 

Milaim Zeka në fillim të këtij muaji është suspenduar nga ana e ushtruesit të detyrës së drejtorit gjeneral të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj e kishte arsyetuar vendimin me paditë aktive të Zekës.

Ndërkohë Zeka, ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga RTK për shkak të zhvillimeve sipas tij dramatike në mediumin publik.

U.d. drejtori gjeneral të RTK-së, e ka konfirmuar për KALLXO.com se Zeka ishte në proces të shkëputjes së kontratës së punës.