FOTO: Milaim Zeka - FCB

Milaim Zeka parashtron padi civile dhe kallëzim penal ndaj RTK-së

Suspendimi i Milaim Zekës nga Radiotelevizioni Publik i Kosovës ka bërë këtë të fundit që t’i angazhoj dy avokatë për t`u marr me rastin.

Kështu ka njoftuar vet Zeka në një përgjigje për KALLXO.com.

“I kam angazhu dy avokatë për punën e largimit tim”, ka thënë ai.

Edhe njëri nga avokatët e angazhuar, Gent Gjini ka bërë një postin në Facebook ku ka thënë se së bashku me avokatin tjetër, Blend Gjini kanë parashtruar padi civile dhe kallëzim penal, sipas tij për rastin e ‘suspendimit të Zekës në mënyrë kundërligjore nga RTK-ja’.

“Ne, avokatët Gent Gjini dhe Blend Gjini me parashtrimin e padisë civile dhe kallëzimit penal do vërtetojmë shkeljen e ligjit nga RTK-ja dhe do kërkojmë kompensimin për dëmtim të autoritetit”, ka thënë Gjini.

Sipas Zekës janë më shumë se 80 për qind e zyrtarëve të lartë publik në Kosovë që kanë aktakuza të ngritura.

Tutje ai ka shtuar se nuk ka të drejtë që dikush të suspendoj në këtë rast Zekën veç pse ka aktakuzë të ngritur.

“Me çfarë të drejte mua më suspendojnë veç pse unë kam aktakuzë të ngritur”, ka thënë ai.

I njëjti ka shtuar se personat që kanë kërkuar informacione për të në Prokurori të Shtetit kanë bërë shkelje ligjore dhe kanë kryer vepër penale.

“Unë nuk pres kurrgjë, e di që ata njerëz veç kanë pas guximin që me lyp në prokuroi të shtetit ma të voglin informacion për mua kanë ba shkeljen ma të madhe të ligjit dhe vepër penale”.

Zeka është suspenduar për 6 muaj nga menaxhmenti i RTK-së më 31 janar të këtij viti.

Vendimi për shkarkimin e Zekës është marrë nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj kishte thënë për KALLXO.com se vendimin për suspendimin e Zekës e ka marrë pas konfirmimit nga ana e prokurorisë se ndaj të njëjti janë tri aktakuza aktive.

Milaim Zeka suspendohet nga puna në RTK