Mikullovci: Kam punuar në njësinë e Trepçës në veri, që udhëhiqet nga serbët

Kryesuesi i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Nazmi Mikullovci, në deklarimin e pasurisë së vitit 2021 figuron se merr 5 mijë euro vjetore nga Trepça Enterprice, njësi kjo në veri të vendit.

Mikullovci në emisionin “KallxoPernime” ka deklaruar se është marrë me “disa projekte”. Sipas tij, ai ka përgatitur edhe programin për vitalizimin e Trepçës në jug, por thotë se aty ka punuar pa pagesë.

“Kam punu në disa projekte, kam punu edhe për pjesën jugore, e kam përgatit komplet programin për vitalizmin e Trepçës në jug, por aty kam punu pa pare. Në pjesën në veri kam punu në disa projkete lidhur me mundësinë e zhvillimit të punëve në xehetari por edhe për furtacionin. Nuk ka qenë naj problem i madh që më ra në kontakt se unë kam qenë në Trepçë 17 vjet menaxher dhe i njoh ata njerëz krejt”, u shpreh ai.

E për këtë ai tha se e din edhe kryeministri Albin Kurti. Mikullovci shtoi se punën me ta e ka ndërpre menjëherë si është vendosur në AKP.

“E din Albin Kurti që kam punu për Trepçën në veri, e din edhe që e kam ndërpre menjëherë. Unë e kam ndërpre, kurrkush sma ka kërku. E kam ndërpre menjëherë si jam vendos në bord”, tha ai.

Ai deklaroi se Trepça në veri funksion plotësisht sipas ligjeve të Kosovës dhe se i raporton institucioneve përkatëse.

“Është aty një problem rreth bordit, sepse sipas ligjit të Trepçës, bordi është prej tetë anëtarëve, prej të cilëve tre janë prej pjesës veriore, njëri është përfaqësues i punëtorëve, një prej jugut një prej veriut, dhe dy janë ekspertë. Deri tash asnjëherë nuk kanë mujtë me e zgjedh bordin prej tetë anëtarëve”, tha Mikullovci.

Ndërkaq, për kontratën e drejtorit në pjesën veriore, ai tha se organet kosovare i’a zgjasin mandatin atij.

“Drejtori në veri është prej fillimit, nuk e di kush e ka zgjedh, UNMIK-u e ka zgjedh. Nuk ka mandat të përjetshme, organet tona ja zgjasin mandatin, por na fatkeqësisht që sa kohë, nuk kemi as drejtor menaxhues në pjesën jugore”, u shpreh Mikullovci.