Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo - Foto: REL/AFP

Mike Pompeo: ISIS është fuqizuar në disa rajone

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, pranoi se grupi militant ekstremist Shteti Islamik (IS) po fuqizohet në disa rajone, mirëpo shtoi se kapacitetet e grupit militant për të kryer sulme janë zvogëluar.

“Është çështje e komplikuar. Padyshim se ka vende ku IS është më i fuqishëm sot sesa ka qenë tre apo katër vjet më parë”, tha Pompeo në një intervistë për CBS.

Por, ai theksoi se kalifati i vetëshpallur nga ana e grupit është mposhtur, dhe se kapacitetet për të sulmuar janë bërë shumë më të vështira.

Grupi militant mori përgjegjësinë për sulmin gjatë fundjavës në Kabul të Afganistanit, ku humbën jetën 63 persona dhe 182 të tjerë u plagosën.