Mikaile Tmusic dhe Aulona Muhadri shpallen më të mirët në basketboll në vitin 2024

19.12.2024 është mbajtur ceremonia “Laureatët 2024”, e organizuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës, ku janë nderuar më të mirët për vitin 2024.

Çmimet për basketbollistët më të mirë të vitit 2024 e ka rrëmbyer basketbollisti i ekipit “KB Trepça”, Mikaile Tmusic, ndërsa basketbollistja më e mirë e vitit 2024 është zgjedhur Aulona Muhadri nga ekipi i “KBF Bashkimi”, thuhet në njoftimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Tmusic fitoi katër trofe me ekipin e Trepçës, duke qenë një udhëheqës dhe faktor kyç në sukseset e skuadrës. Nga ana tjetër, Aulona Muhadri triumfoi me tri trofe me Bashkimin, duke kontribuar ndjeshëm në fitoret e ekipit.

Tutje në njoftimin e FBK-së është treguar se në kategorinë e konkurrencës për skuadra, “KB Trepça” dhe “KBF Bashkimi” kanë janë shpallur më të mirat.

“Skuadra më e mirë në konkurrencën e meshkujve është shpallur KB Trepça, derisa skuadra më e mirë në konkurrencën e femrave KBF Bashkimi”- thuhet në njoftim e FBK-së.

Në kategorinë e femrave, Aulona Muhadri nga KBF Bashkimi u shpall basketbollistja më e mirë, ndërsa ajo ishte pjesë e një liste të shkëlqyer që përfshinte Arbnore Përquku (KBF Bashkimi), Jeta Zeka (KBF Bashkimi/KBF Penza), Malvina Haziri (KBF Prishtina), dhe Sara Vraniqi (KBF Penza/KBF Peja 03).

Te meshkujt, Mikaile Tmusic (KB Trepça) u shpall si më i miri, duke u renditur në mesin e pesë lojtarëve më të mirë, përfshirë Dardan Kapiti (KB Trepça), Gëzim Morina (KB Golden Eagle Ylli), Muhamedali Janjeva (KB Sigal Prishtina) dhe Valon Bunjaku (KB Golden Eagle Ylli/KB Bashkimi).

Sipas njoftimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, trajneri i viti është shpallur Lorik Kllokoqi, pasi fitoi Divizionin C me femra U18. Shpresa e vitit te djemtë dhe vajzat ishin Yll Kastrati (KB Bora/KB Kerasan) dhe Flutra Mehmeti (KBF Prishtina).

Gjyqtari i vitit është shpallur Ngadhnjim Shabani, Punëtori Sportiv i Vitit është shpallur Vullnet Sefaja, i cili është president i KB Trepçës, duke fituar katër trofe brenda një viti dhe duke garuar në arenën ndërkombëtare.

Çmimin ambasadorja e basketbollit të Kosovës jashtë vendit e ka fituar Astera Tuhina.

Këtë vit ishte edhe çmimi i veçantë për veteranët e basketbollit.

“Gjithashtu ka pasur çmim të veçantë për Veteran/e: Mithat Belegu te meshkujt dhe Xhevahire Mustafa te femrat” – është thënë në njoftimin e FBK-së.

Me çmimin e veçantë në Kategotinë e Kontribuesit në Basketboll është nderuar Mexhit Sogojeva ndërsa Çmimin e Publikut Art Motion/Kujtesa e kanë marrë Malvina Haziri dhe Mikaile Tmusic.