Mijëra krime përfunduan pa u ndëshkuar

Mbi 5 mijë njerëz, të cilët pretendohet se kanë kryer krime gjatë vitit 2019, kanë dalë të pafajshëm për shkak të vonesave në trajtimin e lëndëve në gjykatat e Kosovës.

Parashkrimi është një institut juridik sipas të cilit gjykata e humb të drejtën të gjykojë dikë në rast se vonohet në gjykimin e çështjes. Si rrejdhojë një vjedhje, grabitje apo krim tjetër mund të mbetet i pandëshkuar për shkak se ka kaluar shumë kohë.

Nga të dhënat e siguruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës del së në gjykatat e Republikës së Kosovës gjatë vitit 2018-2019  janë parashkruar gjithsej 5329 lëndë, prej të cilave 63 kanë qenë lëndë të rënda penale.

KALLXO.com ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor të dhëna edhe për vitin 2020 mirëpo ata kanë thënë se këto të dhëna ende nuk janë përpunuar. 

Për ish-kryetarin e Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, vjetërsimi i lëndëve nuk duhet të arsyetohet.

“Arsyetimi se lënda është parashkruar në prokurori për shkak të ngarkesës me lëndë ose në gjykatë për shkak të ngarkesës me lëndë nuk ka asnjë justifikim, aty është problematika edhe duhet t’i nënshtrohet përgjegjësisë patjetër”, tha Hasani.

Ai ka sqaruar se ka situata ku lëndët mund të parashkruhen pa fajin e gjykatave.

“Nëse parashkrimi ka ndodhur për asyee se ai (Gjykata dhe Prokuroria) ka ndërmarrë të gjitha veprimet, ka dhënë urdhër për arrest të brendshëm, ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar dhe nuk ju ka sjell atëherë nuk është përgjegjësi e tij”, shtoi Hasani.

Sa i përket parashkrimit relativ, Hasani tha se parashkrimi relativ është përgjegjësi eksluzive e gjyqtarëve dhe prokurorëve në rastet kur parashkrimi bëhet tek prokuroria. Ndërsa tek parashkrimi absolut nëse organet kanë ndërrmarrë të gjitha veprimet e nevojshme por përsëri nuk kanë arritur të sigurojnë të akuzuarin në procedurë, atëherë nuk është përgjegjësi e tyre.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme gjithashtu përmendi disa nga arsyet që çojnë deri tek parashkrimi i lëndëve në Gjykatë dhe në Prokurori, duke listuar këtu mos punën e organeve, neglizhencën dhe gjithashtu ai nuk e përjashtoi mundësinë që parashkrimi të bëhet qëllimisht nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Ajo përpos që behet si shkak i mospunës, neglizhencës, ajo mund të  bëhet edhe qëllimisht, që nuk e përjashtoj mundësinë që në dakordancë me të pandehurin, të heshtë një çështje deri sa të arrihet afati parashkrimit”, deklaroi ai.

Hasani shtoi se gjatë kohës që ishte kryetar i Gjykatës Supreme janë inicuar procedura disiplinore ndaj gjyqtarëve të cilëve ju janë parashkruar lëndët.

Avokatja Fortesa Mehmeti ka listuar një sërë arsyesh që çojnë deri tek parashkrimi duke përfshirë ketu konfuzionin në mes neneve 106 dhe 108 të KPK-së, rritja e numrit të lëndëve dhe mungesa e efikasitetit të punës se organeve përgjegjëse për parashkrimin e lëndëve, neglizhenca etj.

“Arsyet e parashkrimit të ndjekjes penale dhe ekzekutimit të denimeve janë konfuzion i nenit 106 dhe 108  të  këtij institucioni të qartësuara në Kodin Penal të Republikes së Kosovës e që në  zbatim praktik hasim në hapësira të ndryshme interpretimi të këtyre normave praktike e me pasoja juridike të stërgjzatura dhe të parevokueshme, mosefikasiteti i punës, standardet e vendit tranzicional, kushtet e punës, mungesa e stafit – prokuror dhe gjyqtar, neglizhenca e fuqisë  punuese, ekonomizimi procedural, e të gjitha këto pasoja të nderlidhura në menyrë kumulative”, tha Mehmeti.

Sipas avokates Mehmeti, evitmi i parashkrimit bëhet duke krijuar sistem të pastër të drejtësisë, një sistem me sundim të ligjit dhe një sistem efikas dhe produktiv. Ajo propozoi punë me numër më të madh të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit menaxhues.

“Me rritjen e punës në gjyqësor dhe sistem prokurorial evitohen lëndët që do të duhej përfunduar në kohë, në mënyrë të shmangies së parashkrimit”, tha Mehmeti për KALLXO.com.

Ky artikull u mundësua në kuadër të projektit “Sektori i Drejtësisë në Kosovë – i përgjegjshëm, i besueshëm dhe transparent”, i realizuar nga Internews Kosova, Lëvizja FOL dhe Debate Center në mbështetje të Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).