Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mijëra euro shpenzime të UP-së, në udhëtime gjatë vitit 2020

Stafi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjatë vitit 2020, ka shpenzuar mbi 46 mijë euro në udhëtime jashtë vendit, akomodime e mëditje.

Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, këto shpenzime u bënë brenda periudhës 12 mujore janar-dhjetor të vitit që e lamë pas, nga ish-rektori, Marjan Demaj, ish-prorektorët, disa ish-dekanë të fakulteteve të ndryshme, profesorë dhe persona të tjerë nga stafi i angazhuar në UP.

Shtetet e vizituara janë: Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Austria, Gjermania, Finlandë, Bullgari, Turqi, Kroaci, Slloveni, Portugali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britani e Madhe, Serbi, Shqipëri, Poloni, Norvegji, Francë dhe Ukrainë.

Universiteti i Prishtinës këto shpenzime i ka arsyetuar me konferenca shkencore ndërkombëtare, në përvjetorë të themelimeve të universiteteve të ndryshme rajonale, punëtori, projekte të ndryshme me ERASMUS+, gara ndërkombëtare, vizita studimore e të tjera.

Nga buxheti i Universitetit të Prishtinës janë shpenzuar 24 mijë e 222 euro, kurse shpenzimet e tjera janë nga projektet apo donatorët që janë 22 mijë e 413 euro e 89 cent.

Shpenzimet në udhëtime e akomodime

Stafi i Universitetit Publik më të madh në vend, gjatë vitit 2020 në udhëtime kanë shpenzuar 17,094.34 euro në total, prej të cilave 4,658.47 euro janë paguar nga buxheti i UP-së dhe të tjerat nga donatorët.

Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, sa i përket akomodimeve gjithsej janë shpenzuar 10,299.88 euro, prej të cilave 6,099.88 euro prej buxhetit të UP-së dhe të tjerat nga donatorët.

Këto udhëtime janë bërë në muajt shator 2019, dhjetor 2019, korrik 2019, janar 2020, shkurt 2020, qershor 2020, mars 2020, shtator 2020, gusht 2020 dhe dhjetor 2020.

Në këto udhëtime, siç është theksuar më lartë, kanë marrë pjesë: ish-prorektorë, profesorë, ish-dekanë e të tjerë.

Mëditjet dhe shpenzimet e tjera

Më shumë shpenzime nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” gjatë vitit që e lamë pas janë evidentuar në kategorinë e mëditjeve dhe shpenzimeve të tjera.

Në mëditje janë shpenzuar 5,923.16 euro nga buxheti i UP-së kurse nga donatorët 4,200 euro.

Ndërsa, në shpenzime të tjera përfshihen shuma prej 3,306.58 eurove prej të cilave disa janë paguar nga donatorët.

Nga këto mëditje, po ashtu kanë përfituar ish-prorektorët, rektori, ish-dekanët, profesorët dhe të tjerë.