“Migrimi i parregullt” kap dy të dyshuar që po kontrabandonin pesë emigrant

Policia e Kosovës, njësitet e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare ”Perëndimi” në Gjakovë, kanë kapur dy të dyshuar të cilët po tentonin t’i fusnin në Kosovë pesë shtetas të huaj, në mënyrë të parregullt.

Plani Operativ “Migrimi i parregullt” i realizuar nga Policia, rezultoi me kapjen e dy të dyshuarve, pas vëzhgimit dhe përcjelljes së lëvizjeve të dyshuara të veturës “Audi 80” me targa vendore, që ishte ndalur në skaje të autostradës në afërsi të fshatit Shkozë-Vermicë.

“Patrullat e policisë kanë monitoruar dhe vëzhguar automjetin, kur në një moment në automjet kanë filluar të hyjnë pesë (5) persona të cilët kanë ardhur nga pjesa malore afër autostradës. Policia menjëherë ka ndërmarr veprime konkrete duke ndaluar dhe identifikuar të dyshuarit dhe personat tjerë të cilët kanë rezultuar të jenë shtetas të huaj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit policior, është inicuar rast ndaj personave të dyshuar për “kontrabandim me migrant” si dhe janë njoftuar njësitet relevante, përfshirë njësinë për megrim dhe të huaj, të cilat kanë dal në vendin e ngjarjes për trajtim dhe procedim të mëtutjeshëm të rastit dhe trajtim të personave të huaj sipas ligjeve në fuqi.

Këto veprime, njofton Policia, janë kryer në konsultim me Prokurorin e Shtetit, e që kanë rezultuar me ndalimin prej 48 orësh të dy shtetasve kosovar.