Miftari: Një shtëpi në Kosovë për 10-12 vjet mund ta kthejë investimin e bërë në panele solare

Eksperti i energjisë solare në projektin KESS, Daors Miftari, ka folur lidhur me investimin e familjeve kosovare në panele solare.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se në bazë të gjetjeve që ka bërë, në Kosovë për 10- 12 vjet një shtëpi mund ta kthejë investimin e bërë në ndërtimin e paneleve solare.

“Në bazë të gjetjeve tona mund të themi se kemi një mesatare 10 deri në 12 vite për shtëpi”, ka thënë ai.

I pyetur se sa  është shuma që i kushton një shtëpie për ndërtimin e paneleve solare, Miftari ka thënë se nuk kanë të dhëna se sa mund të kushtojë.

Lidhur me këtë, Trim Ternava përfaqësues i kompanisë “Jaha Solar”, tha se vlera mesatare është 6 mijë deri në 7 mijë euro.

“6 mijë deri në 7 mijë euro është vlera mesatare që i kish kushtu për një konsum 600-700 kilovatë në orë. Analiza është bërë kështu dhe e kemi përmendur edhe me herët që TVSH e kish zvogëlu kthimin e investimit. Sepse nuk ke nevojë me pritë strategji për të ulur TVSH-në”, ka thënë Ternava.

Ndërsa Miftari ka folur edhe për disa nga gjetjet e projektit të KESS (Kosovo Energy Security of Supply).

“Ne e kemi bërë identifikimin e lokacioneve për zhvillimin e sistemeve të reja fotovoltaike. Aktiviteti i parë është lidhur me komunikimin strategjik, aktiviteti i dytë ka të bëjë me amendamentet legjislative, projekti i katërt ka të bëjë me identifikimin e lokacioneve të reja fotovoltaike”, ka thënë Miftari.