Presidenti i Microsoft-it, Brad Smith.

Microsoft ndalon shitjet dhe shërbimet në Rusi

Microsoft tha të premten se do t’i pezullojë “të gjitha shitjet e reja të produkteve dhe shërbimeve të Microsoft në Rusi”.

Përmes një postimi në internet, Presidenti i Microsoft, Brad Smith shkroi se kompania gjithashtu “po ndalon shumë aspekte të biznesit tonë në Rusi në përputhje me vendimet e sanksioneve qeveritare”.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse pezullimi i shitjeve ishte rezultat i drejtpërdrejtë i respektimit të sanksioneve.

Kompania në fjalë shtoi se ajo gjithashtu vazhdon të ofrojë ndihmë për sigurinë kibernetike për Ukrainën dhe së fundmi ndihmoi në mbrojtjen e vendit kundër një sulmi kibernetik që synonte një “transmetues të madh ukrainas”.

Sot është dita e nëntë e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, lufta e parë tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Luftimet kanë vazhduar të intensifikohen në qytetet kryesore, ndërsa më shumë se një milionë njerëz kanë ikur në vendet fqinje në eksodin më të shpejtë të refugjatëve këtë shekull./CNN