Kryeministri Albin Kurti pret me ceremoni shtetërore homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski
Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik me Kosovën do të jetë mbi gjysmë miliardi euro
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka thënë më 18.11.2024, se bashkëpunimi ekonomik me Kosovën do të jetë mbi gjysmë miliardë euro në fushën e tregtisë, teksa “në vitet që pasojnë do të punojmë që bashkëpunimi ekonomik të jetë edhe më i madh”.
Kështu ka deklaruar Mickoski në mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës që po zhvillohet në një restorant në dalje të Prishtinës.
“Kemi marrëdhënie miqësore dhe të afërta të cilat edhe në të ardhmen do t’i avancojmë dhe sa më shumë t’i zvogëlojmë barrierat” – tha Mickoski.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, theksoi se mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut nuk ka mosmarrëveshje.
“Gjatë këtyre viteve kemi nënshkruar mbi 50 marrëveshje dhe memorandume, të cilat na kanë afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin”- tha Kurti.
Kurti, gjatë fjalës së tij para dy kabineteve qeveritare, ai njoftoj se duke filluar nga janari i vitit 2025, në dy pikat kufitare Hani i Elezit – Bllacë dhe Jazhincë – Glloboçicë, do të zbatohet modeli ‘hyrje – hyrje’, ku zyrtarët policorë do të punojnë së bashku në një ndërtesë.
“Ky bashkëpunim do të reduktojë kohën e pritjes në kufi dhe do të lehtësojë lirinë e lirë të qytetarëve”- u shpreh Kurti, për nënshkrimin e këtij protokolli teknik.
Mickoski është pritur me intonimin e himneve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut nga Garda Ceremoniale e Forcës të Sigurisë së Kosovës.
Në të njëjtin varg me ministrat e Qeverisë të Kosovës, u rreshtuan ministrat e Maqedonisë së Veriut. Pas pritjes u realizua edhe fotografia familjare mes dy kabinteteve qeveritare.
Pas këtyre aktiviteteve do të ketë takim bilateral ndërmjet dy kryeministrave dhe takime bilaterale ndërmjet ministrave të dy qeverive.
Në mesditë është planifikuar takimi ndërqeveritar / G2G ndërmjet Qeverive të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Pas takimit, do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve bilaterale, që do të pasohet me një konferencë të përbashkët për shtyp nga dy kryeministrat.
Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me lidhjen e një memorandumi për energjinë, politikat dhe strategjitë mes dy vendeve në këtë fushë.
Ky është takimi i dytë mes dy qeverive në tri vitet e fundit, anipse kësaj radhe në krye të Maqedonisë së Veriut është një kryeministër i ri.
Herën e fundit që dy qeveritë kanë mbajtur mbledhje të përbashkët ishte më 16 shtator 2021. Atëkohë në Maqedoni të Veriut kryeministër ishte Zoran Zaev.
Në atë mbledhje ishin nënshkruar disa memorandume bashkëpunimi dhe disa marrëveshje në fusha të ndryshme.