Michele Risi, komandanti i ri i KFOR-it në Kosovë

Nga sot komandën e KFOR-it në Kosovë do ta ketë Gjeneral Major Michele Risi.

Kjo u bë e ditur në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it në të cilën Gjeneral Major Lorenzo D’Addario, i uroi suksese pasardhësit të tij.

“Një vit në Kosovë, ka ardhur deri tek fundi, dhe unë së shpejti do të jem pjesë e së kaluarës së KFOR-it. Hyrja ime në KFOR si komandat ka qenë një nderë i madh për mua dhe një detyrë shumë e rëndësishme. Gjithmonë do tu jem mirënjohës autoriteteve nga vendi im që më kanë zgjedhur mua për këtë pozitë”, tha D’Addario.

Sipas tij për 20 vite në Kosovë është bërë një progres i madh në ruajtjen e paqes dhe janë arritur ndryshime të mëdha.

“Këto 20 vitet e fundit së bashku me organizatat ndërkombëtarë, komunitetin ndërkombëtar, institucionet e Kosovës si dhe vendet fqinje kemi arritur ndryshime të mëdha afër njëri tjetrit”, tha ai.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se ndërrimi i komandave të KFOR-it në Kosovë sjellë ndryshime nga viti në vit.

“Është një nder për mua që të marrë pjese në ndërrimin e komandës së KFOR-it, ndonëse duket se është e njëjte, në fakt çdo vit sjellë diçka të re, risia e parë është një hap në thellimin e bashkëpunimit mes Kfor-it Nato-s dhe institucioneve të Kosovës dhe e dyta është zgjerimi i bashkëpunimit mes Kfor-it dhe Fsk si dhe e treta është hapi i madh drejtë forcimit të paqes në Kosovë”, tha ai.

Presidenti Thaçi falënderoi komandantin D’Addario, për shërbimin e tij ndaj qytetarëve të Kosovës, ndërsa komandantit të ri i ka uruar sukses në Kosovë.

“Angazhimi juaj ka sjellë më shumë paqe dhe siguri për qytetarët e Kosovës, ndërsa juve gjeneral-major Rizzi ju dëshiroj mirëseardhje dhe ju uroj të vazhdoni me sukseset që keni shënuar gjithmonë si Kfor në Kosovë”, theksoi presidenti.

Sipas Thaçit, Sukseset tona të përbashkëta e bëjnë gjithnjë e më pak të nevojshëm Kfor-in, reduktimi i vazhdueshëm i trupave të Kfor-it.

Presidenti Thaçi përmendi aspiratën që edhe FSK-ja të jetë pjesë e NATO-s për ti kontribuar paqes në botë.

“Jam i lumtur të shoh se nga bashkëpunimi ka lindur ushtria e Kosovës FSK-ja, si një forcë profesionale, multietnike në shërbim të çdo qytetari  dhe zhvillimi do të thotë se një ditë në një të ardhme të afërt do të realizohet aspirata që Kosova të jetë në NATO”, tha ai.

Në anën tjetër komandanti i ri, KFOR-it në Kosovë Michele Risi tha që kjo pozitë për të është shumë e rëndësishme.

“Jam i nderuar për përgjegjësinë që më është dhënë. Më duhet ti falënderoj vendet e aleancës që kanë kontribuar për sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Ju premtoj që do të bëjë gjithmonë më të mirën nga vetja, dhe kërkoj nga ju që ta bëni të njëjtën”, tha ai.