Charles Michel (Foto: Këshilli i Bashkimit Evropian)

Michel i kërkon Putinit të ndalojë “sjelljen përçarëse”

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha të hënën se marrëdhëniet midis bllokut dhe Rusisë “janë në nivel të ulët” dhe se “situata apo përkeqësimi i mëtejshëm i saj nuk është në interesin e asnjërës palë”.

Michel i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.

Në deklaratën e lëshuar nga Bashkimi Evropian thuhet se Michel e informoi Putinin se Këshilli Evropian ka diskutuar për Rusinë në muajin maj dhe se “i ka dënuar aktivitetet e paligjshme, provokuese dhe përçarëse ruse kundër BE-së, vendeve anëtare të saj dhe të tjerëve”.

Në një postim në Twitter, Michel tha se marrëdhëniet mund të përmirësohen vetëm “nëse Rusia ndalon sjelljen përçarëse”.

Sipas deklaratës së Kremlinit, Putin gjithashtu tha se marrëdhëniet “nuk mund të konsiderohen të kënaqshme”.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe BE-së kanë nisur të përkeqësohen prejse Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Në të njëjtin vit, Moska ka nisur mbështetjen edhe për një lëvizje separatiste në lindje të Ukrainës.

Në deklaratën e BE-së thuhet se Michel dhe Putin diskutuan edhe për situatën në Bjellorusi.

Michel e dënoi aterimin e detyrueshëm të një fluturimi komercial të kompanisë Ryanair, muajin e kaluar, në Minsk dhe arrestimin e një gazetari opozitar që ndodhej në bordin e avionit.

Sipas deklaratës së Kremlinit, Putin tha se sanksionet e BE-së kundër Bjellorusisë, për shkak të incidentit, janë “kundërproduktive”.

Michel i kërkoi Putinit që ta nxisë udhëheqësin bjellorus, Aleksandr Lukashenka, “të lirojë të burgosurit politikë, të ndalojë dhunën dhe të përfshihet në një dialog kombëtar gjithëpërfshirës”.

Gjatë bisedës, Michel përsëriti gjithashtu “mbështetjen e palëkundur” të BE-së për “pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Deklarata ruse e përshkroi konfliktin në Ukrainë si “një krizë të brendshme”./REL