Foto: KALLXO.com

MI e mbyll rrugën në lagjen "Qëndresa" në Prishtinë, kompania paralajmëron padi (VIDEO)

Rruga në lagjen “Qëndresa” në Prishtinë pritet t’i ballafaqojë në gjykatë Ministrinë e Infrastrukturës dhe ndërtuesin e disa shtëpive ne atë lagje, Mehmet Prishtinën. Ky i fundit pretendon se ka pëlqim për lidhje në rrugë, ndërsa Ministria pretendon se vendimit për këtë i ka skaduar afati.

Departamenti për Menaxhimin e Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, mëngjesin e sotëm ka filluar zbatimin e vendimit të Inspektoratit Rrugor të kësaj Ministrie për mbylljen e kësaj lidhjeje në rrugën nacionale në lagjen “Qëndresa” të Prishtinës.

Udhëheqësi i Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve Malë Lokaj, thekson se janë duke e zbatuar vendimin e Inspektoratit të MI-së për mbylljen e saj.

“Ne kemi dal sot në vendin e ngjarjes për vendosjen e një barriere për shkak të një kyçjeje që është bërë në rrugën pjesën e autostradës që lidh Prishtinën me Hanin e Elezit. Inspektorati para sa kohësh ka ndërpre punimet e kompanisë punëkryese e cila ka qenë duke e ekzekutuar kyçjen, megjithatë ajo nuk e ka zbatuar vendimin e Inspektoratit për ndërprerje të punimeve dhe e ka realizuar ashtu qysh po shihet edhe sot”, tha Lokaj duke shtuar se kompania ka bërë kërkesë për lidhje në rrugë në vitin 2019.

“Kërkesën e kishin bërë në vitin 2019, ju ka dhënë një vendim, mirëpo vendimi nuk është ekzekutuar në kohën e duhur dhe i ka skaduar afati i vendimit të punimeve dhe ajo është dashur me bo kërkesë për rifreskim të vendimit për vazhdim ose që pala pretendon se vendimin e ka marr më datë të mëvonshme shumë, por këto janë çështje që mbetet të analizohen në vazhdim përmes anës juridike ose gjyqësisë”, theksoi Lokaj.

Në anën tjetër afaristi Mehmet Prishtina, i cili kishte bërë kërkesë për lidhje në rrugë, thotë se do të kërkojnë nga gjykata masën e sigurisë dhe hapjen e menjëhershme të rrugës pasi e ka pëlqimin për hapjen e saj.

“Kemi filluar afër katër javë kyçjen në rrugën nacionale N25 e cila qysh në vitin 2018 është kategorizuar dhe nuk është deri në pikën ku paguhet autostrada, por është rrugë e kategorizuar nacionale e cila si pasojë, ka rrjedhë edhe vendimi që e kemi të ligjshëm me datë 6 shtator 2019. Na është lejuar me kërkesën tonë të cilën e kemi bërë në emër të biznesit “New Prishtina Residence” dhe aty është lëshuar një vendim më 6 shtator 2019 i cili na lejon kyçjen me vetëfinancim”, tha Prishtina i cili pretendon se vendimin nuk ka mundur ta tërheq nga Ministria deri në shkurtin e vitit 2021.

“Ky vendim nuk ka arritur të tërhiqet deri më 15 shkurt 2021 për arsye të pandemisë por edhe 10-tra herë kemi qenë personalisht dhe personat e autorizuar, por nuk na u ka dhanë ky vendim fizikisht. Po ju njoftoj se sot ne kemi kërkuar edhe një masë sigurie për këtë ndërhyrje të paligjshme dhe sigurisht se do të padisim të gjithë ata që janë përgjegjës”, theksoi Prishtina.

Pëlqimi për lidhje në rrugë ishte dhënë në vitin 2019, porse Inspektorati dhe Departamenti për Menaxhimin e Rrugëve në MI pretendojnë se këtij vendimi i ka skaduar afati, ndërtesa Prishtina pretendon se vendimin e ka tërhequr me 25 shkurt të viti 2021.

Lokaj tha se në bazë te disa shkresave fillimisht Ministria kishte vendos që me vendim që kjo rrugë të kaloj në rrugë nacionale e me pas është dhënë pëlqimi për lidhje.

“Ato janë procedura tjera se autostrada ka qenë e mbyllur faktikisht në bazë të shkresave të anëtarit të komitetit ndërministror për dy autostradat ka qenë një komitet ndërministror me vendim të qeverisë i formuar nuk është konsultuar fare do të thotë është bërë ‘dekategorizimi’ i kësaj pjesë të rrugës, është dhënë një pëlqim në emër të një kategorie më të ulët se sa autostrada, që është rruga nacionale edhe është krijuar kjo kyçje që po shohim tash”, potencon Lokaj.