Ministria e Financave

MF: Mesazhi i sotëm për përfitim nga Pakoja Emergjente është mashtrim

Ministria e Financave përmes një njoftimi për media ka përgënjeshtruar një mesazh që sipas tyre është shpërndarë sot kinse për përfitim nga Pakoja Emergjente Fiskale.

Ministria e ka quajtur mashtrim një email që është dërguar sot rreth orës 15:00, në emër të Thesarit të Ministrisë së Financave, në drejtim të disa adresave zyrtare për mundësinë e përfitimi nga Pakoja Emergjente Fiskale.

“Ministria e Financave njofton opinionin e gjerë se ky njoftim nuk ndërlidhet fare me Ministrinë e Financave dhe strukturat e saj, dhe si i tillë ka qëllim mashtrimin, duke rënë kështu në domenin e krimit kibernetik”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

“Përveç kësaj, vegza e bashkëngjitur në këtë njoftim “orienton” pranuesit në një formular, i cili shihet të jetë një formë e mashtrimit, për mbledhjen në mënyrë të kundërligjshme të dhënave të ndjeshme personale dhe atyre bankare”, thuhet tutje në njoftimin e Ministrisë.

Ministria u ka bërë thirrje zyrtarëve dhe qytetarëve të cilët kanë pranuar këtë njoftim, të mos i plotësojnë të dhënat dhe ta njoftojnë Policinë e Kosovës.