MF kërkon nga punëdhënësit ta përmbushin obligimin ligjor për punësimin e personave me aftësi të kufizuara

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar qytetarët që bazuar në Ligjin për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara punëdhënësit obligohen që për çdo 50 të punësuar, të punësojnë së paku 1 person me aftësi të kufizuara.

Shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës – Handikos e ka mirëpritur vendimin.

Kurse, sipas njoftimit të ministrisë, punëdhënësit nga sektori publik, privat dhe organizatat jo-qeveritare të cilët nuk e përmbushin obligimin ligjor për punësimin e personave me aftësi të kufizuara obligohen që për nxitjen e punësimit të kësaj kategorie, të paguajnë kontribute mujore në lartësi të shumës së pagës minimale.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në linjë me programin Qeverisës, mbetet e përkushtuar për të krijuar qasje të barabartë në tregun e punës për të gjitha kategoritë shoqërore” – thuhet në njoftimin e ministrisë.

Kontributet mujore sipas ministrisë paguhen në llogarinë e veçantë në Thesar.

Handikos përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, e ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Financave të Kosovës që sektori publik, privat dhe OJQ-të të përmbushin obligimin ligjor për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, e në raste të mos zbatimit, të kontribuojnë në forma tjera.

“Përkundër ekzistimit të Ligjit për Aftësim, Riaftësim dhe Punësim, deri më tani nuk ka gjetur zbatueshmëri të plotë në asnjërin sektor, ndërkohë që personat me aftësi të kufizuara, një numër i madh i tyre vazhdon të mbesin jashtë tregut të punës” – thuhet në njoftim të Handikos.