Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Metushi-Krasniqi: Janë 30 milionë euro më pak për shëndetësi në buxhetin e vitit 2021

Diana Metushi – Krasniqi nga organizata KDI në debatin me zëvendësministrin e Financave ka thënë se në buxhetin për vitin 2021 janë ndarë 30 milionë euro më pak për sektorin e shëndetësisë.

“I kemi 30 milionë euro më pak pikërisht për shëndetësi, prej 82 milionë eurove, janë zbritë  në 57 milionë. Vetëm sa janë duke u ngritë shqetësimet për shtëpitë e shëndetit e nevojat tjera”, ka thënë Metushi – Krasniqi.

Ajo ka deklaruar se për buxhetin e ndarë për COVID-19 janë shpenzuar vetëm 12% e këtij buxheti, ndërsa pjesa tjetër është bartur.

“Është pak shqetësuese që në buxhetin e ri, kur po folim edhe për performancën e kaluar, qeveria ia ka bartë prej këtij viti, prej 8 milionë eurove, 6 milionë e 999 mijë euro nga buxheti për COVID-19. Ne nuk i kemi nejt gati qytetarit, për me i përmbush obligimet e qytetarit për mbrojtjen e COVID, as për 13%, vetëm 12% janë shpenzu për mbrojtjen e dedikuar kundër COVID-19, 87% po bartet për vitin e ardhshëm”, ka thënë ajo.

 

Ndërsa zëvendësministri Agim Krasniqi ka thënë se asnjë kërkesë e ministrisë së shëndetësisë për barna e pajsje nuk guxon mos me kalu. Sipas tij, çdo kërkesë automatikisht aprovohet.

“E kemi vazhdu programin për rimëkëmbje në vitin 2021 në shumën 182 milionë dhe brenda atij programi janë 30 milionë euro shtesë oër sektorin e shëndetësisë. Kemi diskutu me Bankën Botërore që në formë të granteve të mbështetet sektori i shëndetësisë edhe për 20 milionë euro”, ka thënë Krasniqi.