Meta takoi Kurtin: Qeveria e tij ka të gjitha mundësitë të jetë shembull i mirëqeverisjes

Nikoqir i Albin Kurtit, gjatë vizitës së sotme zyrtare në Tiranë, ishte edhe Presidenti, Ilir Meta.

Meta e uroi Kurtin për postin e kryeministrit, ndërsa tha se ai ka një mundësi të mirë që të jetë shembull i mirëqeverisjes.

“Qeveria e tij i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull pozitiv i mirëqeverisjes në rajonin tonë”, theksoi Meta.

“Bashkëpunimi midis dy vendeve konsiderohet strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike. Duhet të konkretizojmë Partneritetin Strategjik me Kosovën, duke e bërë atë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal”, citohet të ketë thënë Presidenti Meta.

Ai foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Në këtë kuadër”, – tha Kreu i Shtetit, – “Janë të mirëpritura dhe përpjekjet e SHBA-ve dhe BE-së, për rifillimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

“Është e rëndësishme, që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”, ka thënë Meta.

Presidenti Meta inkurajoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë, SHBA, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe partnerët e tjerë, që kanë patur një rol vendimtar në pavarësinë e Kosovës