Presidenti shqiptar, Ilir Meta - Foto: REL/Reuters

Meta: Rrënimi i Teatrit, një krim kushtetues, ligjor dhe moral i paamnistueshëm

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka dënuar rrënimin e objektit të Teatrit Kombëtar në Tiranë nga Qeveria e Edi Ramës dhe Bashkia e Tiranës.

Në një reagim në Facebook, Meta ka thënë se pamjet që u shfaqën sot në orët e para të mëngjesit do të kujtohen njësoj si kazmat e diktaturës në ‘67 mbi kishat dhe xhamitë.

Presidenti Meta ka thënë se Teatri Kombëtar u rrënua nga “mafia”, siç e cilëson ai Qeverinë e Edi Ramës.

Ky është postimi i tij i plotë:

“Pak orë më parë, në kulmin e errësirës, MAFIA urdhëroi shkatërrimin, jo vetëm të një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara të Europës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Dhunimi i njëkohshëm i artistëve dhe gazetarëve është një damkë e zezë për MAFIEN në pushtet.

Kjo pamje do kujtohet njësoj si kazmat e diktaturës në ‘67 mbi kishat dhe xhamitë.

KY ËSHTË NJË KRIM KUSHTETUES, LIGJOR DHE MORAL I PAAMNISTUESHËM.”