Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Meta: Qytetarët e Kosovës dhanë shembullin më të mirë të demokracisë

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i ka quajtur zgjedhjet e djeshme që u mbajtën në Kosovë një shembull të shkëlqyer të funksionimit të demokracisë.

Presidenti Meta ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se qytetarët e Kosovës në ditën e zgjedhjeve kanë treguar shembullin më të mirë të demokracisë.

Postimi i plotë i Presidenti shqiptar Ilir Meta:

Zgjedhjet e djeshme në Kosovë, një shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë dhe i besimit te demokracia dhe vota e lirë.

Urime qytetarëve të Kosovës dhe klasës politike, që i treguan mbare botës se shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira, si ato që e gjithë bota ndoqi dje në Kosovë!

Të dhënat momentale të KQZ-së, tregojnë se deri më tani janë numëruar 95,88% të votave, apo 2442 vendvotime nga 2547 sa kanë qenë gjithsej.

Rezultati i fundit tregon se Lëvizja Vetëvendosje është e para me një rezultat 25,81%.

Pas saj Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,07%.

Partia Dermokratike e Kosovës renditet e treta me 21,17% të votave.