Foto: Partia Guxo/Facebook
Meta: Peci dhe Gërvalla e kanë tradhtuar Vjosa Osmanin
Deputeti nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Meta, ka thënë se ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, që janë bashkëkryetarë të Partisë Guxo, e kanë tradhtuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kjo deklaratë e Metës është dhënë në “Debat Plus”.
Ai po ashtu ka thënë se ndaj Osmanit ‘kanë tentuar të diskutojnë me shpifje e e kanë shantazhuar’.
“Po si nuk e kanë tradhtuar, e kanë tradhtuar me dy këmbët e tyre – derisa në mbledhjet tona të Kryesisë, ku unë jam nënkryetar në Kryesinë qendrore. Edhe në Kryesi kanë tentuar të fillojnë të diskutojnë për shpifje, për fjalë të paqena në drejtim të Presidentes.” – tha Meta.
Ai ka thënë se në mbledhjet e tyre është thënë se “ne nuk kemi më nevojë për të (Vjosa Osmanin)” dhe se “Presidentja është shantazhuar në mediume, në vende kallaballëku – siç ka qenë ajo me ardhjen e diasporës. Është shantazhuar duke folur fjalë për të, ‘që është e panevojshme më për Partinë Guxo’”.
Deputeti tregoi se në të gjitha zyrat e Partisë Guxo janë fotografitë e Vjosa Osmanit, me të cilën tha se edhe e kanë krijuar këtë Parti.
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë publike listën e kandidatëve për deputetë, në të cilën nuk gjendet Burim Meta.