Presidentët shqiptar e kosovar, Ilir Meta e Hashim Thaçi - Foto: Presidenca e Kosovës

Meta: Besoj në pafajësinë e Thaçit, Veselit dhe bashkëluftëtarëve të tyre

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se beson në pafajësinë e presidentit Hashim Thaçi, liderit të PDK-së Kadri Veseli, pas ngritjes së aktakuzës për krime kundër njerëzimit.

Meta ka deklaruar se lufta e UÇK-së rezultoi jo vetëm për lirimin por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj evropiane dhe të rajonit.

“Lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit tonë. Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre”, ka shkruar presidenti shqiptar në rrjetin social “Facebook”.

“Edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar. Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri”, ka shkruar tutje ai.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.