Meta: 28 nëntori na gjeti në zi, të angazhohemi për të nderuar flamurin kombëtar

 

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta sot në 107 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ftoi që shqiptarët të angazhohen për të nderuar flamurin kombëtar dhe të qëndrojnë të bashkuar.

Meta përmes një postimi në facebook u shpreh se ditën e sotme e filloi duke vizituar familjet që mbetën pa strehë në Sukth.

“Në këtë ditë që është më e rëndësishmja për shtetin dhe kombin tonë, por që na gjeti në zi dhe në betejë me pasojat e tmerrshme të një tërmeti të pamëshirshëm, ju ftoj të angazhohemi për të nderuar Flamurin tonë Kombëtar dhe të qëndrojmë të bashkuar deri në rikthimin e normalitetit të plotë të jetës për të gjithë familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre. Sot e nisa këtë ditë të bekuar të kombit tonë duke vizituar familjet që kanë mbetur pa strehë në Sukth, ku takova edhe Amelian, e cila edhe pse ka dy ditë që jeton në çadër e në kushte të veshtira, sot kishte zgjedhur të vishej me ngjyrat e Flamurit Kombëtar. Sa më shumë të bëjmë sot për këta fëmijë, aq më shumë ata do ta nderojnë Flamurin tonë Kombëtar dhe shtetin e tyre kur të rriten”, shkroi Meta në facebook.

Shqipëria në mëngjesin e së martës është tronditur nga disa tërmete të forta të njëpasnjëshme, me pasoja në njerëz dhe dëme të mëdha materiale. Deri tani ka shkuar në 40 numri i viktimave nga tërmeti në Shqipëri, teksa raportohet për qindra të lënduar. Kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e rajonit, të cilat kanë ngushëlluar dhe mbështetur popullin shqiptar.