Foto: Albin Kurti, ZKM

Mësuesit në grevë, nxënësit në shtëpi e Kurti në vizitë në shkollën private

Shkollat publike në Kosovë kanë hyrë në javën e katër të grevës së përgjithshme ndërsa nxënësit e këtyre shkollave vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi, pa pasur mundësi të nisin vitin e ri shkollor 2022/2023.

Kryeministri Albin Kurti sot mori pjesë në hapjen e Kampit veror ndërkombëtar, ‘Edu Kamp 2022’ i financuar nga shoqata gjermane, Education Unlimited, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe e ndihmuar nga gjimnazi privat, ‘Loyola’ në Prizren.

Kurti gjatë fjalës së tij ka potencuar rritjen e buxhetit për arsim në Kosovë, ndarjen e 1.7 milion eurove për mësimdhënësit me probleme shëndetësore e ndarjen e mijëra bursave.

“Për këtë synim kemi rritur buxhetin për arsim për 12%. Kemi bërë arsimin publik falas për nivelin baçelor dhe master. Kemi ndarë mbi 3.000 bursa për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit. Për mbyllje të hendekut gjinor, kemi ndarë 1.365 bursa për vajzat dhe gratë studente të fushave STEM. 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe nxitjen e djemve për të ndjekur profile deficitare” – tha Kurti.

Kryeministri Kurti ka falënderuar organizatorët për mbajtjen e këtij kampi veror i cili mbledh 83 nxënës nga Shqipëria, Kosova, Gjermania, Franca dhe Maqedonia e Veriut.

Ndërkaq ai ka theksuar edhe ndarjen e rreth 1 mijë kuponëve për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit si dhe 150 mijë euro për bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Greva në sektorin publik ka filluar më 25 gusht.

Sindikalistët ndër të tjerash po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të mbahet mësimi.