Mësoni orarin e reduktimit të rrymës në vendin ku jetoni

Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë, KEDS, ka njoftuar për kufizimet e planifikuara të rrymës.

KEDS ditë më parë ka ndarë një link/hartë se ku qytetarët mund ta gjejnë orarin e reduktimeve përmes shifrës së konsumatorit.

Në këtë LINK mund ta gjeni orarin e reduktimit të rrymës për vendin se ku jetoni, të cilin mund ta gjeni përmes numrit të faturës.

Reduktimet janë shpeshtuar dhe aktualisht reduktimet brenda ditës janë 4 orë pa rrymë, të ndara në kohë të ndryshme për konsumatorët.

Kosova është duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike që nga data 15 gusht.

Pas ndarjes së gjysmës së subvencionit nga Qeveria e Kosovës për sektorin e energjisë gati gjashtë muaj pas zotimit, Zyra e Rregullatorit për Energji ka vendosur që nuk do ta shqyrtojë kërkesën e Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO, për shtrenjtimin e rrymës.

Teksa shumë vende evropiane po përballen me krizë energjetike për shkak të çmimeve të larta, në Kosovë aktualisht dy blloqe të termocentralit ‘Kosova A’ dhe një bllok i termocentralit ‘Kosova B’ janë në prodhim, ndërsa TC B2 është në remont, i cili pritet të përfundojë në fillim të muajit shtator.

Çmimi për import të energjisë elektrike në bursën e Hungarisë sipas Ministrisë Ekonomisë aktualisht është 430 euro për MgW/h, ndërsa pritet të rritet në sezonin e dimrit.

Ndërsa sipas tarifave të energjisë që kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt,  Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Por, për bizneset nuk ka pasur shtrenjtim të rrymës as më 9 shkurt kur është vendosur për tarifat e reja ndërsa Ministria ka njoftuar se ka marrë vendim që konsumatorët me dalje të dedikuara për biznese të hyjnë në listën e konsumatorëve të mbrojtur duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ mbi Rregullat për Masat Kufizuese të Furnizimit me Energji në Situata Emergjente.