Shpërthimi në Zubin Potok
Mësohet emri i të arrestuarit të parë për sulmin terrorist kundër kanalit të Ibër-Lepencit
Njëri nga të arrestuarit lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut më 29.11.2024 është sjellë më 01.12.2024 në Gjykatën e Prishtinës.
Në seancën që ka nisur sot në ora 15:00, Prokuroria Speciale ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
KALLXO.com ka mësuar se i pandehuri është Dragisha Viqentijeviq.
Emrin e të pandehurit e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe avokati i tij, Millosh Delleviq.
Nga një shpërthim që ka ndodhur më 29.11.2024 është dëmtuar kanali i ujit i Ibër-Lepencit.
Shpërthimi terrorist është kryer në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Lidhur me aktin terrorist, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 01:30 të mëngjesit të 30.11.2024.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni Këtu.