Ilustrimi: Trembelat

Mësohet data kur dalin rezultatet e testit PISA 2018

Rezultatet e testit PISA 2018, do të shpallen botërisht me 3 dhjetor të këtij viti.

Ky test  ndërkombëtar matë njohuritë e nxënësve 15 vjeçar në fushat si shkenca, gjuha dhe matematika.

Testi do të nxjerrë në pah rezultatet për njohuritë dhe aftësitë e tyre në krahasim me vendet e tjera të botës.

Kosova iu nënshtrua këtij testi për herën e dytë në vitin 2018.Ndërsa rezultatet do të dalin më 3 dhjetor.

Kjo është bërë e ditur në uebfaqen e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) që ka projektin  e PISA.

“ PISA 2018 mbuloi leximin, shkencën dhe matematikën – me fokus kryesor leximin. Rezultatet e PISA zbulojnë se çfarë është e mundur në arsim duke treguar se çfarë mund të bëjnë studentët në sistemet arsimore me performanca më të larta dhe më të shpejta. PISA do të botohet në orën 09.00 të mëngjesit. Koha e Parisit / CET (08.00 në mëngjes. GMT) të martën 3 dhjetor 2019”, është bërë e ditur në njoftim.

Zyra për Informim e Ministrisë së Arsimit gjithashtu e konfirmoi për KALLXO.com se rezultatet do t’i bëjnë të ditura të hënën.

Testi PISA 2018 në Kosovë kishte filluar nga 11 prilli deri më 5 maj, ku në këtë testim kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Për testin PISA, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pati formuar një komision, i cili me planin dinamik organizoi mbajtjen e dy testeve pilot në të gjitha shkollat e Kosovës.

Përgatitjet u bënë me qëllim ngritjen e vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA. Ky test është organizuar në mënyrë digjitale.

Kurse, më 19 shtator ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi është shprehur optimist në lidhje me rezultatet që do të shpallen për testin PISA këtë vit.

Bytyqi në Debatin “ZgjidhjepërZgjedhje” kishte thënë se Kosova këtë vit do të rangohet tre vende më lartë se në vitin 2015.

Në testin PISA 2015,  Kosova është renditur në vendet me rezultatin më të dobët në testin ku morën pjesë 72 shtete.

Rezultatet e prezantuara më 6 dhjetor 2016 e renditën Kosovën në fund të listës bashkë me Perunë, Libanin, Tunizinë, Maqedoninë, Algjerinë dhe Republikën Dominikane.

Testi kishte gjetur se në fushën e leximit 77 për qind të nxënësve nuk e kanë arritur nivelin 2, në fushën e matematikës 78 dhe në fushën e shkencave 68 për qind.

Rezultatet e dobëta kishin nxitur reagime të shumta nga analistë, politikanë e të tjerë që fajësonin Ministritë e Arsimit ndër vite, për mospunë.

PISA nuk analizon vetëm nëse nxënësit kanë mësuar atë që ju është ligjëruar, por gjithashtu vlerëson nëse studentët mund të përdorin në mënyrë kreative dhe kritike atë që dinë.

Nga secili shtet që merr pjesë në PISA përzgjidhet një mostër reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që t’i nënshtrohen testit.

Prandaj, konsiderohet se rezultatet reflektojnë gjendjen reale të sistemit të arsimit dhe mundësojnë krahasimin në mes të shteteve. Kjo matje bëhet në tri disiplina/fusha: lexim, matematikë dhe shkenca të natyrës.