Kandidati për deputet, Ahmet Isufi. Foto:Denis Sllovinja/KALLXO.com

“Mësimi nga e kaluara”: Koalicioni AAK-Nisma zotohet për mosndërhyrje politike në ndërmarrjet publike

Kandidati për deputet, Ahmet Isufi, më 02.02.2025, në “Debat Përnime” ka treguar hapat që do t’i ndjekë koalicioni AAK-Nisma për “funksionalizmin e mirëfilltë” të ndërmarrjeve publike në vend, nëse pas datës 9 shkurt arrijnë të vinë në pushtet.

Derisa përmendi të kaluarën qeverisëse, ai tha se kanë marrë mësim që nuk duhet të ndërhyhet politikisht në funksionimin e këtyre ndërmarrjeve dhe se për veprimet e tilla që kanë ndodhur, secila parti e ka paguar ‘“faturën” e vetë.

“Unë besoj që kemi marrë mësim nga e kaluara që të mos ndërhyhet qysh është ndërhyrë deri tani. Të gjitha partitë politike sot që janë në skenë, qoftë ato që janë qeveri, qoftë që kanë qenë opozitë, të gjitha kanë qenë në këto 25 vjet pjesëmarrëse në pushtet dhe e kanë paguar tagrin (faturën)”- tha Isufi.

Premtimi i AAK-Nisma është se me qeverisjen e tyre s’do të ketë ndërhyrje politike dhe se njerëzit e punësuar në këto institucione do të zgjidhen mbi bazën e parimeve ligjore dhe të meritokracisë.

“Qëllimi ynë është që të mos ketë ndërhyrje politike, të ketë konkurrencë, të ketë parim në bazën ligjore dhe të përzgjidhen ata që vërtetë meritojnë të jenë në institucionet adekuate”- tha ai.

E mira, sipas Isufit, do të ishte që edhe bordet e këtyre ndërmarrjeve politike të definoheshin nëse janë politike ose në bazë të meritokracisë.

Kritikat nuk munguan ndaj Qeverisë aktuale, për qasjen karshi emërimit të bordeve të ndërmarrjeve publike, e që sipas kandidatit Isufi, pati konkurrime për bordet deri sa erdhi i “preferuari” i partisë.

“Megjithatë partia e cila ka ardhë në pushtet, ka ardhë më moton kundër këtyre veprimeve, kundër asaj që quhet ndikim politik në borde, po ashtu edhe kundër familjarizimit. Megjithatë ka ndodhë më keq se çdo herë tjetër për shkak se tani kemi edhe 2-3 herë konkurrime brenda bordeve, derisa ka ardhë i preferuari i partisë në pushtet”- tha Isufi.

Ndërsa në mandatin e fundit të kësaj qeverie, sipas Isufit, “kemi jo çkapje të institucioneve përkundrazi kapje të plotë të të gjitha ndërmarrjeve publike”.

AAK-Nisma premton se me ardhjen në pushtet, në bordet e ndërmarrjeve publike do të ketë konkurrencë të hapur dhe nuk do të lejohet që politika të ketë ndikim në to.

“Të jetë konkurrenca e hapur. Nuk mund t’i përjashtosh ndoshta krejt, sepse në fund të fundit, të gjithë qytetarët e Kosovës e kanë një pozicionim të tyre, por që të mos jetë influenca politike detyrimisht ajo që vendos kuadrin politik në borde, po të jetë më shumë ana profesionale ajo që e përcakton cilësinë e një bordi. Dhe unë besoj që koalicioni që jemi do të kemi mundësi më lehtë ta bëjmë këtë”- tha ai.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime”  në nisje të debatit ku u diskutua për meritokracin në institucionet publike tha se: “Emërimi i komandantëve, drejtorave dhe bordagjinjëve vazhdoi me logjikën e njëjtë edhe në këtë mandat. Profesionalizmi u mat me sa të vjetrën e ke librezën e partisë, sa pare i ke dhënë donacion partisë, dhe sa shumë bërtet nëpër tubime zgjedhore. Meritokraci se jo mahi”.

Zotimet e koalicionit AAK-Nisma për “çkapje” të institucioneve të pavarura dhe luftim të korrupsionit