Mësimi online

Mësimi nga distanca dështon të arrijë tek nxënësit në nevojë

Në debatin e organizuar nga BIRN, zyrtarë nga Ministria e Arsimit dhe anëtarë të shoqërisë civile diskutuan mbi përpjekjet për implementimin e të mësuarit në internet (online) gjatë pandemisë COVID-19 si dhe ndikimin e saj tek nxënësit në gjendje të pafavorshme sociale.

Pothuajse 30,000 nxënës në arsimin fillor dhe të mesëm nuk arritën të jenë pjesë e programit të mësimit në distancë të lançuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, MASHT në prill të vitit 2020.

Ky program u lansua për t’i kompensuar mësimet e humbura gjatë mbylljes së shkollave si rezultat i pandemisë COVID-19. Sidoqoftë, sipas ekspertit të arsimit Dukagjin Pupovci, i cili kohët e fundit u emërua si zv/ministër në MASHTI, mungesa e qasjes në teknologji bëri që shumë nxënës ta humbnin mësimin nga distanca.

“Vetëm 54 përqind e familjeve në Kosovë posedojnë një pajisje kompjuteri në shtëpinë e tyre,” tha Pupovci duke shtuar se mungesa e një lidhjeje interneti ishte po ashtu një problem për shumë familje.

Bardha Qirezi, Drejtoreshë Ekzekutive e EDU TASK,  e cila monitoroi më shumë se 400 shkolla mes muajve tetor dhe dhjetor të vitit 2020, pajtohet që procesi i mësimit në distancë është përcjellur me një numër problemesh teknike.

“Kur filloi mësimi përmes internetti, ne patëm probleme me përdorimin e teknologjisë nga të dy prindërit si dhe nga vetë nxënësit,” tha Qirezi. “Kishte raste kur prindërit që kishin më shumë se tre fëmijë duhej të menaxhonin më shumë se 20 grupe në Viber.”

Aktualisht, nxënësit në të gjitha nivelet e arsimit po e ndjekin mësimin normalisht dhe Pupovci zbuloi se MASHTI po planifikon të mbajë orë shtesë për nxënësit në të gjithë vendin në javët në vijim, në mënyrë që t’i kompensojë mësimet e humbura gjatë pandemisë.

Zëvendësministri shtoi se mësimi në internet nuk ishte zëvendësim për arsimin brenda shkollave. “Fëmijët kanë nevojë për mbështetje kur mësojnë dhe jo vetëm për t’i parë mësimet të cilat shfaqen në një pajisje tablete,” tha ai

Ndërsa tranzicioni drejt të mësuarit në internet i afektoi fëmijët në të gjithë Kosovën, kjo situatë, në veçanti, pati ndikim në komunitetet e caktuara. Një raport i botuar në muajin korrik 2020 nga Admovere, një OJQ për arsim dhe drejtësi tranzicionale, identifikoi se fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian ishin veçanërisht të prekur nga efektet e pandemisë së koronavirusit.

Muhamet Arifi, drejtori ekzekutiv në Balkan Sunflowers, një OJQ e specializuar për çështjet e arsimit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, i bëri jehonë gjetjeve të raportit, duke deklaruar se pandemia ka rezultuar me vështirësi serioze lidhur me përspektivat e arsimit në këto komunitete.

“Më shumë se 50 përqind e nxënësëve [nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian] nuk morën pjesë në mësime dhe kanë mbetur prapa me të gjithë procesin,” deklaroi ai.

Sabri Xhigoli është drejtor në shkollën fillore Daut Bogujevci në Fushë Kosovë, ku 90 nga 810 nxënësit e kësaj shkolle i takojnë komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Ai bëri të ditur  se shumica e fëmijëve në shkollën e tij nga këto komunitete nuk ishin pjesë e mësimit në distancë.

“Mund të them se 80 përqind e këtyre fëmijëve nuk morën pjesë në mësime online për shkak të mungesës së teknologjisë,” tha ai. “Si drejtor i shkollës, unë arrita ti siguroj shtatë pajisje tabletash dhe pesë prej tyre u shpërndanë në komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, ndërsa dy të tjerë iu dhanë nxënësëve shqiptarë që kishin nevojë për to.”

Drejtori shtoi se 35 tableta të tjera ishin siguruar për nxënësit nga një donator i jashtëm, të gjitha këto do t’u shpërndaheshin fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Në rrezik të braktisjes

Vështirësitë e vazhdueshme të shkaktuara nga kriza COVID-19 rrezikojnë të rezultojnë me braktisje pothuajse të tërësishme të arsimit nga fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë.

Siç e thekson Arifi, kjo nuk varet vetëm nga mbyllja e shkollave dhe problemet e të mësuarit në internet. “Situata e vështirë ekonomike po i shtyn nxënësit që ta braktisin shkollën sepse ata janë të detyruar të punojnë për mbijetesën e tyre,” tha ai, duke shtuar se vetëm në tetë muajt e fundit organizata e tij i kishte bindur 50 fëmijë t’i ktheheshin mësimit.

Abetare Gojani, përfaqësuese e Fondacionit IPKO, theksoi se vajzat nga këto komunitete ishin veçanërisht të rrezikuara të braktisnin arsimimin e tyre.

“Në Komunat e Fushë Kosovës, Pejës, Gjakovës dhe Mitrovicës kemi identifikuar 190 vajza që rrezikonin të braktisnin shkollën,” tha ajo, duke shtuar se fondacioni i ka pajisur këto vajza me kompjuterë dhe ka ofruar trajnime për të siguruar arsimimin e tyre.

Sidoqoftë, Pupovci e minimizoi çështjen e braktisjes së shkollës, duke deklaruar se ka probleme më të mëdha që kanë të bëjnë me sistemin arsimor të Kosovës.

“Braktisja nuk është problemi më i madh në Kosovë,” deklaroi zv/ministri. “Në vitet 2019-2020 kemi pasur 50 fëmijë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian që e kanë braktisur shkollimin, por nuk i kemi numrat për këtë vit.”

Ndërkohë, Radica Berishaj, zyrtare e kahmotshme në Departamentin e Mësimit në MASHT, deklaroi se braktisja e shkollës nuk ishte vetëm një simptomë e pandemisë por një rezultat i problemeve sistematike në arsim që ishin të pranishme përgjatë dy dekadave të fundit.

“Të gjitha problemet me të cilat është përballur sistemi ynë arsimor ndikojnë në braktisjen e shkollës nga fëmijët]”, tha Berishaj. “Vlera e arsimit ka rënë dhe fëmijët e shohin arsimin më shumë si një detyrim sesa si një domosdoshmëri.”

Kjo seri debatesh për BIRN mbështetet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Ky shkrim është përkthyer nga gjuha angleze dhe është publikuar fillimisht në Prishtina Insight

 

Përktheu-Nuhi Shala