Shkolla Fillore "Pjeter Bogdani", Prishtine, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Mësimi në shkolla vazhdon përmes skenarit A dhe B

Shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë në shumicën e rasteve janë duke zhvilluar mësimin sipas skenarit A, me mësim fizik në shkolla dhe sipas skenarit B, mësimi i kombinuar.

Në komunë e Ferizajt, Lipjanit, Pejës dhe Gjakovës mësimi në shkolla fillore dhe të mesme të ulëta është duke u zhvilluar sipas skenarit A, ndërsa shkollat e mesme mësimi është duke u zhvilluar sipas skenarit B.

Lajmin për KALLXO.com e kanë konfirmuar drejtorit e Arsimit të këtyre komunave.

“Të gjitha shkollat e nivelit 1 dhe 2 (klasa 1-5 dhe 6 – 9) janë duke punuar sipas skenarit A, ndërsa shkollat e mesme të larta sipas skenarit B”, ka thënë  Bashkim Bytyçi, zyrtar për arsim në komunë e Ferizajt.

Ndërsa në komunën e Prizrenit, Deçanit dhe Podujevës janë duke zhvilluar mësimin e  kombinuar mes skenarit A dhe B.

“Procesi mësimor në 56 institucionet shkollore të Komunës së Prizrenit në tri nivelet arsimore zhvillohet po zhvillohet sipas skenarit A dhe B”, ka thënë Xhemile Thaçi Vezgishi, drejtoreshë e Arsimit në Prizren.

Shkollat, SHFMU ”Naim Frashëri”, SHMLGJ ”Aleksandër Xhuvani, SHMLE ”Isa Boletini”, SHMLT ”Fan S. Noli”, në Podujevë janë duke zhvilluar mësimin në skenarin B.

Në komunat si Kaçanik, Skenderaj, Klinë, Suharekë, Fushë Kosovë, Drenas mësimi në të gjitha shkollat është duke u zhvilluar sipas skenarit A me prezencë fizike në shkollë.

“Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Fushe Kosovës, mësimi është duke u zhvilluar në objektet shkollore”, ka thënë Islam Shabani, drejtor i Arsimit në Fushë Kosovë.

Kurse në komunën e Drenasit procesi mësimor për dy javë ka vazhduar me ekranin B, ndërsa tani është duke u zhvilluar me skenarin A.

“Në periudhën e parë përjashtimisht në ato klasë ku ka pasur të infektuar kemi shkuar në izolim sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, për dy javë dhe procesi arsimor ka vazhduar me skenarin B”, është shprehur Arbesa Islami Dobra nga Drejtoria e Arsimit në Drenas.

Mësimi në gjysmë vjetorin e dytë të viti shkollor 2020/21 ka filluar më 18 janar dhe sipas vendimeve të Ministrisë së Arsimit është duke u zhvilluar sipas tre skenarëve.

Skenari A është për mësim fizik në shkolla, skenari B – mësimi i kombinuar dhe skenari C – mësimi online nga platforma të ndryshme.