Ilustrim

Mësimi në shkolla nis me ligjëratë për COVID-19

Të hënën sipas një vendimi do të fillojë mësimi në shkollat e Kosovës me rekomandime nga ana e institucioneve të shëndetësisë.

Ministria e Arsimit ka njoftuar se së paku një orë në javë do t’i kushtohet vetëdijësimit për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Arsimit me anë të një njoftimi.

“Bazuar në vendimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021 në kushte pandemie, ora e parë e mësimit do t’i kushtohet informimit dhe vetëdijesimit të nxënësve lidhur me pandeminë Covid-19.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Gjithashtu në njoftim është bërë e ditur se në javët në vijim, së paku një orë në javë do t’i kushtohet informimit të nxënësve për zhvillimet më të reja për pandeminë dhe për përgjegjësitë e nxënësve në luftimin e saj.

Pas një takimi mes ministrit Ramë Likaj dhe SBAShK-ut me drejtoritë komunale të arsimit, është rikonfimuar se mësimi në shkollat e Kosovës do të fillojë të hënën, më 14 shtator në dy faza.

Viti i ri shkollor është dashur të fillojë më 1 shtator, por është shtyrë, siç është thënë nga Ministria e Arsimit, me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit.