Mësimi në Kamenicë ka filluar sot sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit

Më 23 prill, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci kishte marrë vendim për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar për 441 nxënës të Komunës së Kamenicës.

Por, edhe pse ky vendim u kritikua dhe u kundërshtua nga ana e kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, mësimi ka filluar sot në Kamenicë.

Këtë e kanë konfirmuar për KALLXO.com nga ana e Komunës së Kamenicës.

“Sipas vendimit të Minstrisë së Arsimit dhe Shkencës mësimi ka filluar sot në Kamenicë. Është më se e qartë dhe jashtëzakonisht shqetësuese komunikata e MAShTI-it, e cila u bën thirrje prindërve dhe mësuesve të Komunës së Kamenicës të shkojnë në objektet të cilat nuk janë shkolla”, thuhet në një përgjigje për KALLXO.com.

Sipas një përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Kamenicës konsideron që kjo është një përzierje në kompetencat e nivelit lokal.

“Këto objekte pas inspektimit të inspektoratit të Komunës janë mbyllur për shkak se nuk plotësojnë kushtet elementare për organizimin e çfarëdo aktiviteti. Kjo është përzierje në kompetencat e nivelit lokal dhe është vendim qartësisht politik, i cili nuk ka për qëllim cilësinë në arsim, apo nxënësin në Komunën e Kamenicës por përfitimet politike”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ata po ashtu e konsiderojnë këtë vendim të jashtëligjshëm.

“Përveç kësaj është i jashtëligjshëm dhe ndërhyrje e pastër në kompetencat e komunës të përcaktuara me: Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjin për Arsimin në Komuna. Vendimi është i papranueshëm dhe ne do të ndërmarrim të gjitha masat ligjore”, thuhet më tej.

Riorganizimi në arsim në Komunën e Kamenicës ka filluar që nga gushti i vitit të 2019 dhe kjo inicativë ishte kundërshtuar qysh nga fillimi nga ana e prindërve.

Në kuadër të këtij riorganizimi ishte planifikuar që cikli i ulët klasa 1-5 dhe cikli i lartë klasa 6-9 të ndahen në objekte të veçanta.

Merret vendim për kompensimin e orëve të humbura në Kamenicë

.