Shkolla Fillore "Pjeter Bogdani", Prishtine, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Mësimi fillon të hënën, ende nuk dihet numri i mësimdhënësve të testuar për COVID-19

Mbi 1,500 mësimdhënës në gjithë territorin e Kosovës do të testohen për coronavirus, para se të fillojë procesi mësimor më 14 shtator.

Xhavit Rexhaj, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, ka bërë të ditur se ende nuk dihet numri i mësimdhënësve të testuar si dhe ka treguar mënyrën e përzgjedhjes së mësimdhënësve.

“Nuk e di sa janë testuar deri më tani, shumica sigurt sepse IKSHPK-ja është duke i bërë dhe zgjedhja është rastësore. DKA-ve i kërkohet një numër i caktuar, një profil i caktuar  i një shkolle, i një qendre urbane, rurale me u kriju mostra rastësore. Qëllimi është me qenë mostra përfaqësuese”, tha Rexhaj për KALLXO.com.

Ai është shprehur i sigurt se mësimi do të fillojë më 14 shtator, ashtu siç është paraparë.

“Vendimi është me 14 por kjo është pandemi, s’ka dilemë në lidhje me këtë që do të fillojë me 14 shtator”, ka shtuar Rexhaj.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka marrë vendim që mësimi të fillohet në mënyrë fizike në objektet e shkollave, të hënën, më 14 shtator.

Viti i ri shkollor është dashur të fillojë më 1 shtator, por është shtyrë, siç është thënë nga Ministria e Arsimit, me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit.

Në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për ruajtje të shëndetit të nxënësve në shkolla, thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.

Numri i përgjithshëm i mësimdhënësve në nivel vendi llogaritet të jetë mbi 23 mijë.