Mësimdhënësja serbe: Mësimet po i ndjekim përmes transmetuesit publik të Serbisë

Në Kosovë, tash e disa javë është duke u zhvilluar mësimi online për nxënësit, pas mbylljes së shkollave si masë parandaluese për COVID-19.

Sanja Vukoviq, mësimëdhënse në Viti, ka treguar se si po zhvillon mësimet e saj me nxënësit serbë në këtë qytet.

Vukoviq tha se janë duke ndjekur mësimet nga transmetuesi publik i Serbisë.

“Mësimi është ndërprerë më 16 mars, ndërsa më 17 mars transmetuesi publik RTS, në Serbi, në kanalin e tij të tretë, paraqiti tërë programin për shkollat fillore dhe të mesme, sikurse të ishin përgatitur me muaj”, tha ajo në emisionin “Jeta në Kosovë”.

“Qysh më 17 mars filluan ligjëratat nga të gjitha lëndët. Ne e përcjellim mësimin, që fillon në RTS dhe i përcjellim programet që kolegët nga Beogradi i kanë incizuar. E dimë që Ministria rregullisht na dërgon  raportime, na informon ku kanë arritur me incizimin e planprogramit dhe na informon se si t’i plotësojmë  planet tona operative”, ka shtuar ajo më tej.

Vukoviq theksoi se kjo gjë lejohet me ligje të Kosovës.

“Është me rendësi të shpejgohet për publikun, është me rëndësi të dihet se ligji për arsimin në komunat e Kosovës në nenin 12 përcakton se  përgjegjësia për arsimin në gjuhën serbe, jo arsimimi i serbëve, por në gjuhën serbe, i jepet Ministrisë së Arsimit  të Serbisë.  E tërë kjo që ndodh në Kosovë, për arsimin në serbisht bëhet sipas ligjeve të Kosovës”, tha ajo.