
FOTO: Atdhe Mulla
Mësimdhënësit ende në pritje të daljes së pagave
Ende nuk kanë dalë pagat e mësimdhënësve për muajin shtator.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com Reshit Kushaj, kryetar i Këshillit Qendror Grevist të SBAShK-ut.
“S’kanë dalë ende, por pritet me dalë” – tha ai.
Ndërkohë, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se është e padrejtë nëse atyre nuk u dalin pagat, pasi që ato kanë dalë për shërbyesit civilë, të cilët po ashtu kanë qenë në grevë.
Për këtë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Financave dhe është në pritje të përgjigjeve.
Ekzekutimin e pagave për shërbyesit civilë, për KALLXO.com e konfirmoi edhe Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil, Mursel Zymberi.
Ai tha se pagat për ta kanë dalë të premten.
Afati ligjor për daljen e pagave edhe për mësimdhënës është deri më 5 tetor.
Pas më shumë se një muaji, greva në sektorin publik në vend është pezulluar deri më 2023.
Të shtunën me 1 tetor, BSPK-ja përmes një konference për media zyrtarisht bëri të ditur se greva, e nisur më 25 gusht, do të pezullohet deri në muajin janar 2023.