Mësimdhënësit anglezë inkurajohen ta trajtojnë lëvizjen “incel” gjatë orëve mësimore

Mësuesit mund të ndikojnë në parandalimin e përhapjes së lëvizjes “incel” dhe rreziqet e mizogjinisë përmes njësive mësimore në lidhje me respektin ndaj grave dhe lidhjeve të shëndosha mes njerëzve. Kështu besojnë punonjësit e Ministrisë së Arsimit në Britaninë e Madhe, raporton “The Guardian”.

Burimet e gazetës “The Guardian” nga qeveria kanë thënë se Gavin Williamson, sekretari për edukim, pret që mësimdhënësit të jenë në gjendje t’i trajtojnë rreziqet nga kultura “incel” përmes informimit dhe edukimit të studentëve sipas kurrikulës shkollore që përfshin lidhjet, marrëdhëniet seksuale dhe shëndetin.

Këto zhvillime vijnë si rrjedhojë e shqetësimeve që u nxitën nga sulmi masiv i javës së kaluar, i cili ishte njëkohësisht më i dëmshmi në Britaninë e Madhe gjatë dekadës së fundit. Në këtë sulm ishte një 22 vjeçar, Jake Davison, ai që vrau pesë persona në Plymouth, në mesin e të cilëve ishte nëna e tij dhe një foshnje.

Pas sulmit, doli që aktori i ngjarjes kishte treguar interesim për kulturën virtuale “incel”, e ushqyer nga mizogjinia dhe abuzimi ndaj grave. Policia po vazhdon hetimet për të zbuluar nëse kjo kulturë ishte një nga motivet e sulmit.

Ndërkohë, kurrikula e re, e cila do të prezantohet plotësisht këtë vit kur shkollat shtetërore në Angli do të rihapen, u jep mësimdhënësve një hapësirë të madhe për t’i trajtuar temat si marrëdhëniet e shëndosha dhe frytdhënëse, si dhe aspektet më të errëta si urrejtja dhe kontrolli i shtrënguar ndaj grave.

Burimet nga qeveria britanike kanë thënë se mësimdhënësit duhet të inkurajohen që në orët e tyre t’i përfshijnë diskutimet për kulturën “incel” me të gjitha temat që ajo i prek, duke theksuar se është thelbësore që mësimdhënësit ta kenë këtë liri.

Në Skoci, gjithashtu, mësimdhënësit së shpejti do t’i në nënshtrohen trajnimeve për t’i identifikuar shenjat që tregojnë të rinjtë e prekur nga idetë radikale “incel”.

Kërcënimi nga “incel” është emëruar nga hulumtuesit e Departamentit të Edukimit si një formë terrorizmi. Me këtë rast, rishikuesi i pavarur i ligjeve kundër terrorizmit, Jonathan Hall QC, ka thënë se çdo ditë po rritet numri i të rinjve që ndikohen nga terrorizmi, duke përfshirë këtu jo vetëm terrorizmin tradicional islamist, ekstremist apo djathtist, por edhe forma të tjera siç është lëvizja “incel”.

Strategjia Parandaluese e qeverisë britanike për vite me radhë e ka njohur këtë lëvizje si një kategori e radikalizuar. Për këtë arsye, është e rëndësishme që mësimdhënësit t’i njohin shenjat e kësaj lëvizjeje, në mënyrë që t’i identifikojnë ato te fëmijët dhe adoleshentët. Ideologjitë në vete nuk janë fokus i fëmijëve që përfshihen në zbatimin e tyre, prandaj edhe është e vështirë që të kategorizohen rreziqet dhe të përpilohen reagime kundër tyre.

Shënim nga përkthyesi: Lëvizja “incel” (anglisht: incel –involuntary celibate, shqip: rezistimi ndaj marrëdhënieve seksuale në mënyrë jovullnetare) karakterizohet nga mospërfshirja e njerëzve në lidhje emocionale, marrëdhënie seksuale dhe në disa aktivitete shoqërore.

Duke klikuar këtu mund ta lexoni artikullin e plotë.

Përkthyer nga Vesa Ferizi